ZRRE aprovon tarifat e reja, të gjithë konsumatorët do të paguajnë rrymën për 16.1% më shtrenjtë
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka caktuar tarifat e reja të energjisë, që do të jenë për 16.1% më të larta.
Në mbledhjen e mbajtur më 16.04.2025, Bordi i ZRRE-së ka vendosur që rritja prej 16.1% të jetë lineare pёr të gjithë konsumatorët.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së tha se struktura e re tarifore do të vlejë nga 1 maji 2025 deri më 31 mars të vitit 2026.
“Konstatoj se me pesë vota “për” aprovohen tarifat me pakicë për konsumatorët me shërbim universal, siç janë të përcaktuara kriteret në legjislacionin primar. Të gjithë konsumatorët të cilët kanë të drejtë me u furnizu me shërbim universal janë konsumatorët shtëpiak, ose familjarë dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë euro dhe më pak se 50 punëtorë. Pra, janë këto dy kategori që kanë të drejtë të furnizohen përmes furnizuesit universal KESCO për periudhën tarifore 1 maj 2025 deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.” – sqaroi Fejzuallahu.
Kurse, bizneset të cilat kanë qarkullim mbi 10 milionë euro, ose kanë më shumë se 50 punëtorë nga 01.06.2025 do të dalin në treg të lirë për të blerë energjinë elektrike.
Paraprakisht, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në mbledhjen e mbajtur më 11.04.2025 miratoi të hyrat e lejuara maksimale për Kompanitë e Sektorit të Energjisë. Bordi me shumicë të votave ka miratuar të hyrat e lejuara maksimale për KESCO-n në vlerë 435.9 milionë euro.
Kjo vlerë është rreth 1.2 milionë euro më shumë se ajo e propozuar nga ZRRE, e cila në Raportet konsultative ishte 434.7 milionë.
Në këtë buxhet nuk janë përfshirë bizneset që do të kalojnë në treg të lirë dhe nuk do të rregullohen më nga ZRRE. Ndërsa, KESCO kishte bërë Kërkesë për të hyra në vlerë 448 milionë euro.
Në mbledhje me shumicë të votave janë aprovuar të hyrat e lejuara maksimale për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) në vlerë 88.1 milionë euro.
Të hyrat e lejuara maksimale për KEDS-in të miratuara në mbledhje janë 180 milionë euro, derisa propozimi ka qenë 214 milionë euro.
Prej kur në publik doli lajmi se mund të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike janë mbajtur disa aksione dhe një protestë kundër. Më 02.04.2025, 12 aktivistë të iniciativës “Asnjë cent më shumë” u arrestuan te zyrat e ZRRE-së. Ata protestuan duke kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.
Ndërsa, më 05.2025, në Prishtinë u mbajt një protestë ku u kundërshtua rritja e çmimit të energjisë elektrike.
“Duke e pasur parasysh që jemi populli më i varfër në Europë, populli i cili është i zhytur në kredi dhe borxhe, nuk e meriton nga asnjë institucion, nga asnjë Qeveri, që t’i vështirësohet edhe më tepër jeta. Kërkesa jonë ndaj ZRRE-së dhe ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe gjithë akterëve të tjerë është shumë konkrete dhe e qartë: të pezullohet Vendimi i shtrenjtimit për 15% i energjisë elektrike – siç është paralajmëruar.” – deklaroi para mediave, Besnik Shabiu, organizator i protestës.
Rreth dy orë pasi ZRRE-ja miratoi të hyrat e lejuara maksimale për KOSTT-in, KEDS-in dhe KESCO-n, iniciativa “Asnjë cent më shumë” më 11.04.2025 organizoi edhe protestën e dytë për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.
Presidenca e Kosovës ka kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend, nën arsyetimin se ky Propozim është në kundërshtim me Kornizën Ligjore, që ZRRE të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit, duke injoruar situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend.
Presidenca ka dalë me një varg vërejtjesh dhe masash të menjëhershme, që duhet të ndërmerren për të parandaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, pasi që ka analizuar Raportet konsultative për përshtatjen e Të Hyrave Maksimale të Lejuara të Operatorëve Energjetik dhe ka dorëzuar tashmë Komentet e saj te ZRRE.
Në anën tjetër, Ministria e Ekonomisë përmes Komenteve në ZRRE ka kërkuar që rritja e çmimit të rrymës të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh. “Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e drejtë që rritja të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe të shtohet numri i brezeve (blloqeve) të konsumit për konsumin mbi 800 kWh.” – thuhej në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë, më 28.03.2025.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike është kundërshtuar nga Shoqëria civile në Kosovë dhe partitë politike, si LDK, AAK dhe PDK.
Sidoqoftë, tarifat e reja nuk vlejnë edhe për katër Komunat veriore: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nuk i rregullon tarifat për furnizuesin “Elektrosever”, i cili ka licensë për furnizim vetëm në katër Komunat veriore të vendit.
Shënim: Teksti është edituar më 16.04.2025, duke u vendosur vlera e të hyrave maksimale të KOSTT të miratuara nga bordi i ZRRE-së.