Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nexhat Krasniqi nuk mban më pozitën e shefit të Prokurimit në MMPHI

Shefi i Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, MMPHI, Nexhat Krasniqi nuk mban më pozitën udhëheqëse të këtij divizioni.

Në një përgjigje të MMPHI për Kallxo.com bëhet e ditur se më datë 24 maj Ndriçim Mustafa është caktuar zyrtar përgjegjës për menaxhimin e Divizionit të Prokurimit.

“Më datë: 24.05.2022, z.Ndriçim Mustafa, është caktuar zyrtar përgjegjës për menaxhimin e Divizionit të Prokurimit, në kuadër të MMPHI-së, si rezultat i bashkimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve të dy Divizioneve të Prokurimit, deri në hyrjen në fuqi të rregullores së re për organizimin e brendshëm të MMPHI-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

MMPHI nuk kanë treguar se cilat kanë qenë arsyet e largimit të Krasniqit dhe nëse do mbajë ndonjë pozitë tjetër brenda ministrisë ku udhëhoqi divizionin e Prokurimit.

Në emisionin “KallxoPernime” më 27 prill 2022, zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi ka folur për raportet e tij me tashmë ish shefin e prokurimit Nexhat Krasniqi, ku deklaroi se nuk takohet çdo ditë me të.

“Jo, nuk rri natë e ditë në zyrën time. Në zyrën ku punoj unë, çdo drejtor i departamentit, çdo shef i divizionit, çdo zyrtar që punon në ministri, e ka derën çelur sa unë jam aty. Ai (Nexhat Krasniqi), nuk vjen shpesh te unë. Ai vjen vetëm kur ka nevojë për m’u konsultu me mua. Së pari, unë përveç që jam zëvendësministër jam edhe inxhinier dhe për ashtu unë nuk duhem me bo kurrgjë e veç duhet me pritë kur të ma sjellin ndonjë dokument me e nënshkru”, deklaroi Durmishi.

Durmishi ka thënë se Krasniqi ka ardhur 2-3 muaj në punë para se të vinin në qeverisje, kjo pasi ky i fundit ka qenë i suspenduar.

“Nuk e di sa herë në javë, nuk mundem me ditë. Sa herë të kem nevojë për të. Po sigurisht që ka ditë që nuk ka ardhë. Nexhat Krasniqi ka ardhë nja 2 muaj apo tre para se me ardhë ne në qeverisje, sepse ka qenë i suspenduar. Ka pasur procedura gjyqësore prej kohës së Fatmir Limajt kur ka qenë ministër dhe i ka përmbyllur ato”, ka thënë Durmishi.

Nexhat Krasniqi përmendet më së shumti për rastin “MTPT” për keqpërdorime gjatë kohës sa ministër kishte qenë Fatmir Limaj.

Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi së bashku me ish-ministrin e transportit Fatmir Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal që shpërdoroi pozitën dhe autoritetin zyrtar si dhe mori ryshfete. Krasniqi akuzohej se në “rastin e MTPT-së” kishte favorizuar kompaninë ‘Tali’ që të fitonte një tender në Ministrinë e Telekomunikacionit gjersa drejtonte prokurimin.

Krasniqi dhe zyrtarët tjerë janë liruar nga këto akuza.

Kurse, në vitin 2015 Nexhat Krasniqi ishte dënuar me 26 muaj burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës për keqpërdorim detyre. për rastin që njihet si “Parku Industrial në Drenas”.

Nexhat Krasniqi ishte ngarkuar edhe për marrje ryshfeti dhe hyrje në nënshkrimin e kontratave të dëmshme. Ky vendim ishte hedhur poshtë në vitin 2016 nga Gjykata e Apelit.

Nexhat Krasniqi ishte kthyer prapë në pozitën e tij brenda Ministrisë së Infrastrukturës si shef i prokurimit pas lirimit nga akuza.

Nexhat Krasniqi është cilësuar në vazhdimësi si “baba i tenderëve” për shkak të përfshirjes në kontrata të dëmshme e presion në nënshkrim të kontratave.

Durmishi tregon sa shpesh e takon shefin e prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqin