Hysen Durmishi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Durmishi tregon sa shpesh e takon shefin e prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqin

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka folur për raportet e tij me shefin e prokurimit në Ministri, Nexhat Krasniqin.

Në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, Durmishi e ka mohuar se e takon çdo ditë shefin e prokurimit.

“Jo, nuk rri natë e ditë në zyrën time. Në zyrën ku punoj unë, çdo drejtor i departamentit, çdo shef i divizionit, çdo zyrtar që punon në ministri, e ka derën çelur sa unë jam aty. Ai (Nexhat Krasniqi), nuk vjen shpesh te unë. Ai vjen vetëm kur ka nevojë për m’u konsultu me mua. Së pari, unë përveç që jam zëvendësministër jam edhe inxhinier dhe për ashtu unë nuk duhem me bo kurrgjë e veç duhet me pritë kur të ma sjellin ndonjë dokument me e nënshkru”, deklaroi Durmishi.

Tutje, ai tha se prej që është emëruar në pozitë, i ka takuar udhëheqësit e departamenteve, sipas tij, për të shikuar në detaje dosjet e tenderëve.

“Kam kërku, edhe me departamentin e infrastrukturës edhe të menaxhimit të rrugëve, edhe me prokurimin, që me kontrollu deri në detaje secilën paramasë, unë nuk merrem me specifikacione teknike e me këto. Kam kërkuar prej tyre që me i pa mirë paramasat që mos të na dalin probleme në terren, qysh po dalin me kontrata të mëhershme”, tha Durmishi.

“Nuk e di sa herë në javë, nuk mundem me ditë. Sa herë të kem nevojë për të. Po sigurisht që ka ditë që nuk ka ardhë. Nexhat Krasniqi ka ardhë nja 2 muaj apo tre para se me ardhë ne në qeverisje, sepse ka qenë i suspenduar. Ka pasur procedura gjyqësore prej kohës së Fatmir Limajt”, tha Durmishi.