Ministria e Liburn Aliut angazhon si ekspert ish-kryetarin e degës së LVV-së në Artanë

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se ka angazhuar dhjetë ekspertë për programin e banimit të përballueshëm në Kosovë.

Ndër ata që nënshkruan kontratë me Ministrinë e Liburn Aliut të Lëvizjes Vetëvendosje është edhe Abdyl Gashi nga qyteti i Artanës(Novobërdë).

Gashi, i angazhuar si profesionist i fushës së ekonomisë, më herët ka qenë kryetar i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Artanë.

I kontaktuar nga Kallxo.com, Abdyl Gashi konfirmoi se ka qenë kryetar dege por që tani më është vetëm anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Jo unë s’kam pas kurrfarë favorizimi, e kam pa që është i hapur, kam apliku sipas procedurave. Nuk do të thotë që tash, kam qenë ish-kryetar i Vetëvendosjes e mos me pas të drejtë me apliku në asnjë konkurs ku unë e gjej veten dhe i plotësoj kriteret për me qenë në atë pozitë apo vend të punës”, deklaroi Gashi për Kallxo.com.

Tutje ai thotë se askush nga partia(LVV) nuk i ka sugjeruar të tenderoj për këtë procedurë të prokurimit, kontratën të cilën ai e ka nënshkruar për 12 muaj me vlerë prej 8 mijë e 400 euro.

Jo, jo, prej kërkujna, prej askujt. (A jeni ju pjesë ende e Vetëvendosjes?). Po jam anëtar i Vetëvendosjes. Anëtar i thjeshtë. Unë vetëm kam apliku si mundësi e imja që me kontribu në atë projekt të cilin e kam pa dhe kam mëndu që mundem me kontribu”, shtoi Gashi.

Kallxo.com gjatë 05.03.2024 ka tentuar të marr deklaratë edhe nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës por që zëvendës ministri Jeton Raka nuk iu përgjigj thirrjeve të redaksisë e as kabineti i ministrit Liburn Aliu nuk ktheu përgjigje në pyetjet e dërguara me SMS.

Më 10.01.2024 Ministria e Mjedisiti, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës publikoi njoftimin për kontratë për kontraktimin e 10 ekspertëve për programin e banimit të përballueshëm në Republikën e Kosovës, aktivitet i prokurimit ky me numër 210-24-36-2-2-1.

Kjo Ministri më 14.02.2024 publikoi njoftimin e vendimit për tenderuesit fitues, ndër të cilët ishte edhe Abdyl Gashi teksa më 04.03.2024 njoftoi për nënshkrimin e kontratës.

Qëllimi i këtij aktiviteti të prokurimit sipas Dosjes së Tenderit është që Qeveria të reflektojë se çfarë reformash nevojiten në sektorin e banimit dhe përfshirjen e qytetarëve barabartë e po ashtu vendosjen e politikave të qëndrueshme në fushën e banimit.

“Qëllimi i projektit është përmirësimi i kushteve të jetesës, në mënyrë institucionale, financiare dhe teknike, si dhe i qëndrushëm nga ana sociale, mjedisore dhe ekonomike”, thuhet në Dosjen e Tenderit.

Gjithsej 6 Lote janë paraparë për këtë aktivitet të prokurimit. Ministria kishte paraparë që për të gjithë të kontraktuarit të shpenzoj deri në 105 mijë e 600 euro.

Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës të datës 04.03.2024, Abdyl Gashi kontratën me MMPHI-në e nënshkroi më 27.02.2024.

Në njoftimin për nënshkrimin e kontratës, kjo Ministri tregon se ka nënshkruar kontratat edhe me Krenar Kamberin si profesionist i fushës së Ekonomisë, Musa Avdyli si profesionist i fushës së Juridikut si Hamide Haziri si profesioniste e fushës për Juridik.

Më 06.03.2024 MMPHI ka publikuar njoftimin për dhënien e kontratës ku si të kontraktuar përfshihen Banush Shyqeriu si profesionist i fushës dhe politikave të banimit, Ibrahim Ajupi si profesionist i fushës së Ndërtimtarisë, Diana Jusufi si profesioniste e fushës së Ndërtimtarisë.

Për LOT 2 të këtij aktiviteti, MMPHI më 05.03.2024 ka publikuar Njoftimin për Vendimin e Autoritetit Kontraktues ku shpërblehen me kontratë Edona Haliti, Atdhe Arifi dhe Hamdije Idrizi.