Kompania e bashkëshortit të ish-drejtoreshës së Inspeksionit në Vushtrri fiton tender nga komuna, opozita i reagon pushtetit

Një tender për “shërbime me tenda, zërim dhe ndriçim” ishte shpallur nga Komuna e Vushtrrisë, më 24.01.2024.

Në garë për ta fituar atë ishin tre operatorë ekonomik.

Rezultatet u shpallën më datë 29.02.2024, me ç’rast kompania “Enver Mikushnica B.I” u përzgjodh fituese me çmimin e ofertës prej 1,222,68 euro për njësi.

Pronar i kësaj kompanie është Enver Mikushnica, bashkëshorti i ish-Drejtoreshës së Inspeksionit në Komunën e Vushtrrisë, Shqiponjë Mikushnica.

Kompania e Mikushnicës doli e pari në mesin e ofertuesve tjerë, me vlerë të parashikuar të kontratës për 24 muaj, për një shumë të përgjithshme prej 60,000,00 euro.

Ndonëse, me kriteret e tenderit përcaktohet që operatori që oferton me çmimin më të lirë zgjidhet fitues dhe rekomandohet për dhënie të kontratës, në këtë rast “Enver Mikushnica B.I” është zgjedhur si më i poentuara, pavarësisht se ofertuesi tjetër në këtë tender kishte ofruar çmimin më të ulët prej 746,45 euro.

Për këtë ka pasur reagime nga partitë opozitare në Vushtrri.

Lëvizja Vetëvendosje ditë më parë kanë dalë me një reagim publik drejtuar pushtetit lokal në Vushtrri lidhur me dhënien e kësaj kontrate operatorit në fjalë.

“Me Feritin kryetar deri më tani me tenderë u shpërblyen eksponent të PDK-së pavarësisht a plotësonin kriteret për të qenë fitues apo jo, pavarësisht a ishin këta eksponent ofertuesit më të lirë ose jo”- thuhet në reagimin e kësaj partie.

Në LVV pretendojnë se Shqiponjë Mikushnica ka ndikuar që kompania e bashkëshortit të saj të jetë fituese e tenderit.

“Bashkëshortin e ish drejtoreshës së inspeksionit po ashtu e shpërblej me një tender sa për të ja blerë heshtjen pas shkarkimit të ish-Drejtoreshës së inspeksionit Shqiponjë Mikushnica”- thuhet në reagimin e VV-së.

Pretendimet e kësaj partie i ka mohuar Drejtori i Prokurimit në Komunën e Vushtrrisë, Ilmi Azemi, i cili në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com ka mohuar që dhënia e këtij tenderi ka të bëjë me ish-drejtoreshën e kësaj komune Shqiponjë Mikushnica.

“Operatori ekonomik me çmimin më të ulët nuk ka plotësuar kriteret e kërkuara dhe pasi kemi shpallur rezultatin paraprak i njëjti nuk ka ushtruar asnjë kërkesë për rishqyrtim, sepse me raport është dëshmuar konform LPP ose OE më fjalë ka ofertën e pasuksesshme”- ka thënë Azemi.

Pavarësisht kësaj, nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë shprehen se në këtë rast do të duhej të anulohej i gjithë tenderi i hapur nga Komuna e Vushtrrisë.

“Edhe nëse qëndron pretendimi i drejtorit se operatori tjetër nuk i ka plotësuar kriteret, atëherë rruga e duhur ka qenë me anuluar tenderin krejt, jo të ja jap një operatori që nuk e ka pasë çmimin më të ulët”- ka thënë Mursel Sadiku nga LVV në Vushtrri.

Pronari i kompanisë fituese, Enver Mikushnica, nga ana e tij, ka mohuar po ashtu të ketë pasur ndikim pozita e bashkëshortes së tij në rezultatet e këtij tenderi.

“Me letra si të jesh në rregull, normal që e merr (tenderin)”- është shprehur Mikushnica.

KALLXO.com ka tentuar të marr një sqarim edhe nga Shqiponjë Mikushnica lidhur me këtë çështje, ndonëse për dy ditë, ishte e paqasshme në telefon.