Sadik Halitjaha në Gjykatën Speciale - Foto: screenshot

Në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve, Sadik Halitjaha shpjegon organizimin e UÇK-së

Sadik Halitjaha, ish-zv.komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale, ka folur për organizimin e UÇK-së dhe planifikimin për gjykatën gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Halitjaha është dëshmitarë i 36-të i Prokurorisë që po dëshmon në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dëshmitari theksoi se, megjithatë, gjatë asaj kohe nuk kishte një institucion gjyqësor në funksion, por kjo ishte planifikuar për të ardhmen që të krijohej.

“Nuk ka pasë gjykatë të shkallës së dytë e as të parë. E dëshirueshme ka qenë, është kërkuar që të bëhet, të ofrohen juristë, të bëhen njerëz profesionalë, të bëhen lokale, të vazhdohet. Po të zgjaste lufta edhe 2 vjet 3 jam i bindur që do të kishte ndodhur por edhe më shpejt, por që nuk kemi pasë, nuk i kemi pasë” – theksoi gjatë dëshmisë Halitjaha.

Dëshmitari u shpreh se përfaqësuesit e luftës kishin paraparë krijimin e një gjykate për të trajtuar çështjet ligjore që do të mund të shfaqeshin nëse lufta do të zgjaste.

Ai gjithashtu bëri të ditur se ishte në plan që të krijohej një akademi ushtarake në nivel qendror, dhe rolin e udhëheqësit të kësaj akademie e kishte komandant “Drini”.

Halitjaha gjatë dëshmisë së tij ka folur edhe për ndryshimet në strukturën organizative, duke përmendur emrat e personave që zëvendësohen në Shtabin e Përgjithshëm. Ai theksoi se këto ndryshime ishin të nevojshme si pasojë e zhvillimeve të luftës.

“Bislim Zyrapi është zëvendësu më 17 prill, Agim Çeku është emëru shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Agim Çeku u bë shef i Shtabit ndërsa Sylejman Selimi më vonë u caktu shef i gradës. Ka pasë ndryshime, ka pasë lëvizje. Fatmiri e di që është ba zëvendësministër i Mbrojtjes, jo Bislimi. Bislimi e di që është kthy për me e organizu operacionin “Shigjet””- sqaroi Halitjaha.

Gjatë dëshmisë, Halitjaha nuk pranoi që UÇK-ja të quhej organizatë, megjithëse, sipas tij, ka qenë e strukturuar si ‘xhepa-xhepa’ ushtarësh pasi kishte persona që merrnin vetë role si komandant lokal.

Derisa ka folur për strukturën e UÇK-së Halitjaha ka pohuar se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka pasur rregullore dhe se këto janë bërë në nivel lokal, në Zonën Operative të Pashtrikut.

Lidhur me këtë ai rrëfeu se janë krijuar tri rregullore; Rregullorja disiplinore, Rregullorja rreshtore dhe rregullore e objekteve me rëndësi të veçantë dhe policisë.

Në vijim të dëshmisë së tij, Halitjaha ka bërë të ditur se, sipas tij, luftëtarët në Shtabin e Përgjithshëm nuk kishin një strukturë të rregullt, duke theksuar se roli kryesor në udhëheqje ishte ndikuar më shumë nga idealizmi për liri dhe besimi tek udhëheqësi politik, Adem Demaçi.

Në vazhdim, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Ben Emmerson, Halitjaha tregoi se nuk ishte i sigurt për kohën kur u formua Shërbimi Informativ i Kosovës, i njohur ndryshe si “SHIK”.

Nuk e di kur është formuar SHIK-u. Deri më 12 qershor, isha 200% i bindur se vetëm ZKZ-ja ka qenë e informuar, më tej nuk e di.”-tha dëshmitari.

Dëshmia e këtij dëshmitari do të vazhdojë edhe të enjten.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Kristof Barte, Genwl Metro dhe Fergal Gejnor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.