I akuzuari për krime lufte kundër popullsisë civile, Sllagjan Trajkoviq - 20.05.2024 Foto: KALLXO.com

Gjykimi për krime lufte ndaj Sllagjan Trajkoviqit, dëshmitari: Policia serbe na e rrethoi shtëpinë dhe na maltretoi

Momentet kur famija e tij u rrethua nga policia serbe në majin e vitit 1999 në Vushtrri dhe keqtrajtimet që iu bënë në burg, i rrëfeu në gjykatë dëshmitari Vllaznim Krasniqi, në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarit për krime lufte kundër popullsisë civile, Sllagjan Trajkoviq.

Seanca u mbajt më 20.05.2024, ndërsa dëshmitari Krasniqi u propozua nga prokurorja Florije Shamolli.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij ai rrëfeu se më 22.05.1999 e gjithë familja kishin qenë në shtëpinë e tyre, ndërsa babai i njoftoi se atë ditë nuk do të kishin rastin për të konsumuar mëngjesin pasi që ishin të rrethuar nga policia serbe.

Sipas dëshmitarit, dy policë serbë ishin futur në oborrin e tyre dhe u kishin bërtitur dhe sharë.

Ai foli edhe dëbimin nga shtëpitë e tyre si dhe për keqtrajtimet e refugjatëve që ndodheshin në zonën e Vushtrrisë.

“Ka pasur raste kur kanë rrahur popullatë, rrugës duke ecë me ardhë deri te vendi aty se për shkak se kishte qenë numër i madh, kush ishte më i ngadalshëm e kanë rrahur” – deklaroi dëshmitari.

Nga Prokuroria dëshmitari u pyet nëse e kishte parë të akuzuarin Trajkoviq duke rrahur dikë.

Dëshmitari tha se atë e kishte parë personalisht duke ushtruar dhunë dhe se “e mbante në dorë një shkop” dhe “ishte i armatosur deri në dhëmbë.”

Ai rrëfeu se të akuzuarin e njihte që nga fillimi i viteve të ‘90-ta, pasi kishin punuar bashkë, Krasniqi si shitës i cigareve, ndërsa i akuzuari Trajkoviq me monedhën “marka” në atë kohë.

Dëshmitari tha se për për herë të parë kur e kishte parë të akuzuarin me uniformë të policisë veshur kishte qenë më 22.05.1999 dhe siç thotë ai, Trajkoviqi e fliste gjuhën shqipe më rrjedhshëm se vetë ai.

Në atë kohë dëshmitari thotë se ka qenë 16 vjeç, kur nga varrezat në Vushtrri të njëjtit i kishin dërguar me kamion në sallën e sporteve. Por sipas tij, para së të shkonin në atë lokacion forcat serbe i kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët.

“Çdo herë kur na ngarkonin në kamion dikush policia serbe nga godiste, në mesin e tyre edhe Sllagjani [Trajkoviq]”- tha dëshmitari .

Në kohën sa qëndruan në sallën e sporteve, dëshmitari rrëfën se përveç sa u rrahën, nuk u dhanë as ushqim dhe as ujë, ndërsa të nesërmen i kishin dërguar në burgun e Smrekonicës, në Vushtrri.

Krasniqi tha se edhe në ambientet e burgut e pa të akuzuarin tashmë, duke theksuar se ai i kishte thënë se “po më vjen keq që nuk munda me të ndihmur  te varrezat.”

Sipas dëshmitarit, një prej torturave më të tmerrshm që përjetuan nga forcat policore serbe, ishte kur nuk dinin ta këndonin një këngë serbe.Trupi gjykues në këtë rast i përbërë nga Mentor Bajraktari (kryetar) dhe anëtarët Arben Hoti dhe Valbona Musliu – Selimaj njoftoi se gjatë kësaj seance ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari idytë, Sylejman Mustafa mirëpo sipas tyre, ai mungoi për shkak të një problemi shëndetësor.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet më 04.07.2024 dhe 05.07.2024, nga ora 09:30.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Sllagjan Trajkoviq dyshohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik dhe fshatrat përreth të komunës së Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestime, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të mijëra civilëve shqiptarë.

Po ashtu, ai dyshohet edhe për masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

“Duke shkelur kështu rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe protokollet shtesë”- thuhet në dosjen e prokurorisë.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze e gjeni në LINK.