Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, 21.05.2024. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Komisioni hetimor për punësimet në Ministrinë e Jashtme dështon të përzgjedhë ekspertët e pavarur

Anëtarët e Komisionit hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës së anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, u mblodhën sërish këtë javë për të vendosur për angazhimin e ekspertëve, por mbledhja përfundoi pa rezultat. 

Mbledhja në fakt nuk zgjati më shumë se 17 minuta dhe përgjatë kësaj kohe anëtarët e Komisionit nuk arritën të gjejnë një gjuhë të përbashkët se cilët ekspertë të pavarur t’i angazhojnë në punën e Komisionit.

Si përfundim nuk pati as votim edhe pse të pranishëm në mbledhje ishin 8 anëtarë, apo më shumë se gjysma. 

Përderisa deputetët opozitarë me ngulm kërkonin që të angazhohen tre ekspertë, deputetët e pozitës nuk pajtoheshin me ta, duke ngulmuar që të jenë vetëm dy ekspertë. Në fund nuk u vendos asnjë, duke i lënë kështu vendimet për një mbledhje tjetër.

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu- Shoshi kishte propozuar një ekspert, të cilit nuk iu tregua emri publikisht, por i njëjti u kundërshtua, nga pozita duke thënë se i ai është militant i PDK-së.

“Këtu në këtë CV-në që e pamë të propozuar nga PDK, ai nuk ish dashtë as me qenë ekspert, se është militant i PDK-së. Në postimet e tij e shohim që nuk është ekspert. Ai fyen në postime në Facebook. Nuk është i cilësisë së ekspertit, sepse e ulë pozitën e ekspertit”- tha Fitore Pacolli, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ajo tha se duhet të caktohen vetëm dy ekspertë, një i propozuar nga pozita dhe një nga opozita, dhe të dy të kenë frymë të pavarur.

E, Musliu-Shoshi kundërshtoi duke thënë se as deputetja Arbëresha Kryeziu e as Fitore Pacolli nuk kanë kredibilitet që të vlerësojnë se kush është ekspert ose jo.

“Ju nuk keni kredibilitet që të vlerësoni kush është ekspert e kush jo”- tha Musliu-Shoshi.

Deputetja Arbëresha Kryeziu duke u bazuar në postimet e ekspertit në fjalë tha që nuk duhet të sjellin në komision ekspertë politik.

“Nuk mendoj që duhet të sjellim këtu aktivistë politik. Ti je mbet me na tregu për kredibilitet”- ju drejtua Musliu Shoshit.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha që duhet të jenë tre ekspertë në mënyrë që gjithmonë të ekzistoj edhe një mendim i tretë.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, tha që tre ekspertë nuk janë shumë, por mjaftueshëm.

Deputetja e koalicionit Lista Guxo-Vetëvendosje, Jeta Statovci, deklaroi që të paktën ekspertët të jenë të një mendimi objektiv e jo që i takojnë subjekteve politike. 

“Na duhet një mendim i pavarur”- tha ajo.

Lista e dokumentacioneve dhe periudha e hulumtimit ka shkaktuar përplasje në mbledhjen e kaluar të këtij komisioni, të mbajtur më 14.05.2024.

Deputetja Musliu-Shoshi ka kërkuar dokumentacione që i përkasin periudhës 2021 – 2023, ndërkaq pozita ka kërkuar dokumente edhe para mandatit të tyre.

Musliu-Shoshi kishte kërkuar që të themelohet ky komision që t’i hetojë të gjitha “degradimet që janë bërë në MPJD”, duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet e çështje të tjera. Ndër tjera, ajo kërkoi procesverbalet, dosjet, shpalljet e konkurset, vendimet e komisioneve, përbërjen e komisioneve, vendimet për transferet e brendshme, vendimet për transferet paralele nga një mision në tjetrin, procedurat e emërimit, qasja në vendimin për dërgimin e diplomatëve në mandatin e parë, vendimet për emërimet zyrtarëve nga jashtë, qasje në pagat e diplomatëve, dosjen e Behar Ismës që ka qenë sekretar në MPJD, qasje në shpenzimet e kabinetit të ministres Gërvalla.

Ndryshe, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, kishte miratuar më 19.05.2021, propozimin e Qeverisë së Kosovës, për lirim nga detyra të 12 ambasadorëve të emëruar politikë nëpër vende të ndryshme.

Ambasadorët e shkarkuar kanë shërbyer në Gjermani, Shqipëri, Çeki, Holandë, Hungari, Kroaci, Slloveni, Maqedoni e Veriut, Australi, Mali i Zi, Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe në Katar.