Gjykata vendos ndaj Sami Kurteshit lidhur me rastin e sulmit në zyret e KQZ-së

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi sot më 21.05.2024 është liruar nga akuza e Prokurorisë së Prishtinës për sulmin në zyrat e KQZ-së që kishte ndodhur më 20.12.2021.

Vendimi lidhur me këtë rast është marrë nga gjyqtari i vetëm gjykues, Sabit Sadikaj.

Sipas arsyetimit që ka dhënë Sadikaj, “veprimet e të pandehurit nuk i përbëjnë elementet e veprës penale të sulmit por ato të kundërvajtjes, mbi këtë bazë nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.”

Brenda afatit prej 30 ditësh palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Prezent në shpallje të aktgjykimit nuk ishte as i akuzuari Sami Kurteshi e as pala e dëmtuar, Adnon Berisha.

Kurteshi akuzohet se në gushtin e vitit 2021 kishte sulmuar një person brenda zyrave të KQZ-së, me arsyen se i njëjti nuk kishte bartur maskë anti- Covid.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur më 20.12.2021. Rasti kishte filluar të procedohet me “Ndërmjetësim” por që nuk kishte arritur që të përfundohet me procedurë alternative.

Lidhur me rastin i cili sipas prokurorisë ka ndodhur në gusht të vitit 2021, Kurteshi nuk e kishte pranuar fajësinë.