Avokati i Mimoza Kusarit i pakënaqur me dënimin ndaj personit që e kanosi

Avokati i shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, është shprehur i pakënaqur me gjobën për 400 eurove, të cilën do ta paguajë Emin Lati, në emër të kanosjes që ky i fundit ia kishte bërë deputetes në televizionin “T7” me fjalët  “Jena ligë na veteranët, se ata duhet me ngreh zhag nëpër asfalt, deri të ia qesim eshnat në tokë”. Këtë kanosje ai e kishte bërë direkt në një intervistë në televizionin “T7”.

“Nuk jemi të kënaqur aspak me këtë gjobë, këtë e ka shpreh edhe klientja është shumë pak, dënim i vogël” – i ka thënë KALLXO.com, me datë 10.05.2024, Driton Musliu, avokati i Mimoza Kusari – Lilës.

I pyetur nëse aspekti simbolik i pranimit të fajësisë edhe keqardhjes i ka bërë të ndihet më mirë, avokati tha se klientja e tij nuk kishte ndjerë diçka të tillë.

“Ky aspekti i keqardhjes dhe pranimit të fajësisë ka të bëjë direkt në mes të pandehurit dhe palës së dëmtume. Klientja ime nuk ka ndje ndonjëfarë keqardhje që ka shpreh” – është shprehur më tutje avokati.

Ai tha se kanë qenë kundër një marrëveshje të tillë.

“Nuk kemi qenë pro me bo marrëveshje. Neve nuk na është marrë fare pëlqimi për të dhe as nuk kemi qenë të njoftuar vetëm kur është bërë marrëveshja hajde me marrë kopje. T’paktën me na njoftu se na kemi të drejtë me parashtru kërkesë pasurore-juridike mandej. Pala e dëmtume me kodin e ri kërkohet të jetë e informume lidhur me procesin e marrëveshjes” – ka thënë avokati Driton Musliu për KALLXO.com

Avokati i Emin Latit, Agon Rrecaj, e ka konfirmuar për KALLXO.com arritjen marrëveshjen.

“Kena bërë marrëveshje për pranim të fajësisë me prokurorinë. Vetëm për kanosje është dënuar sepse për veprën tjetër për përhapje të urrejtjes është tërheq prokuroria nuk ka elemente. Marrëveshja është arrite në pajtim me ligjin” – ka thënë me 10.05.2024 avokati Agon Rrecaj.

Ai ka thënë se klienti i tij është penduar lidhur me deklaratat.

“Normal që ka qenë i penduar, ka ndodhë në një moment tensioni, aty për aty një deklaratë të tillë. Nuk është që e ka planifiku me ndonjë qëllim me bo diçka të keqe ndaj saj. Reagimi i tij ka qenë vetëm ai mllefi ndaj veprimeve të Mimoza Kusarit në raport me të drejtat e veteranëve, duke kërku ndihmë prej listës serbe me ua cënu disa të drejta elementare veteranëve. Qikjo ka qenë edhe arsyeja e deklaratave të tij” – ka shpejguar avokati Rrecaj.

KALLXO.com ka pyetur avokatin e deputetes së Vetëvendsojes nëse do të marrin hapa të tjerë ligjorë lidhur me rastin, i njëjti ka konfirmuar se kjo do të varet nga klietja e tij dhe do të vendoset pasi ta pranojnë aktgjykimin.

Dënimi paraprak për Emin Latin ishte 120 ditë burgim, por me pëlqimin e tij i njëjti u shndërrua në 400 euro gjobë.

Nëse Emin Lati nuk do të mund ta paguajë gjobën ai do të mbajë burg, ku secila ditë do t’i llogaritet 20 euro.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Driton Berisha.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe vet deputetja Mimoza Kusari Lila. Ajo ka bërë krahasimin e dënimit në rastin e saj dhe dy të tjerëve, ndaj deputetes së PDK-së dhe një deputeti të LDK-së.

“Në Republikën e Kosovës kanosja e një deputeteje të PDK-së përmes mesazhit, apo një deputeti të LDK-së, dënohet me gjashtë muaj burgim, ndërsa në rast të marrëveshjes me katër muaj burg apo 2,000 euro gjobë. Ndërsa, inkuadrimi LiVE në televizion kombëtar dhe veprimi i kanosjes dhe nxitjes e urrejtjes për një deputete të LVV-së, të ofron mundësinë e marrëveshjes me Prokurorinë, hedhjen poshtë të njëres vepër penale, si dhe uljen e dënimit me gjobë në vlerë prej 400 euro” – ka shkruar Kusari Lila më 10.05.2024 në Facebook.

Ajo ka thënë se në rastin e saj nuk ka drejtësi.

“Në rastin tim, Gjyqtari Driton Berisha, përveç se rolin e gjyqtarit, në seancë e mori edhe rolin e mbrojtësit të të pandehurit, siç dëgjohet edhe në videon e postuar ditë më parë. Me këto dënime, konfirmohet drejtësia selektive e aplikuar e cila kryekëput varet nga përkatësia politike e palës së dëmtuar. Këtu ka çdo gjë, pos gjykim të drejtë dhe drejtësi nuk ka!” – ka thënë Kusari Lila.

Çka thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së ngritur më 11.01.2024 nga prokurorja Rukije Shasivari fillimisht Emin Lati është akuzuar për dy vepra penale, kanosje dhe nxitje e përçarjes dhe mosdurimit.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 14.07.2023, në emisionin “Frontal”, në televizionin “T7”, i dyshuari Emin Lati, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit e ka kanosur seriozisht deputeten Mimoza Kusari-Lila.

Këtë sipas prokurorisë e ka bërë duke u shprehur me fjalët “jena ligë ne veteranët se atë duhet me e ngreh zhag nëpër asfalt derisa të ja qesim eshtrat në tokë”,

Kjo sipas organit të ndjekjes ka shkaktuar tek deputetja ndjenjën e frikës dhe ankthit.

Raportimet paraprake të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.