Seanca në rastin e "Zonës ekonomike të Malishevës" më 20.05.2024 Foto: KALLXO.com

Gjykimi për nismën për 'Zonën Ekonomike të Malishevës', shtyhet seanca pasi prokurori s’e përgatiti fjalën përfundimtare

Seanca gjyqësore e datës 20.05.2024 – lidhur me nismën për “Zonën Ekonomike të Malishevës” në të cilën pritej të dëgjoheshin fjalët përfundimtare, është shtyrë për shkak se prokurori i rastit, Naim Abazi nuk kishte arritur të përgatisë fjalën përfundimtare.

Njoftimin se Prokuroria nuk e ka përgatitur fjalën përfundimtare e ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli në seancën e së hënës.

“Prokurori i rastit për shkak të angazhimeve në seancat e tjera nuk ka mundur të përgatisë fjalën përfundimtare”- ka thënë Ismajli.

Në këtë rast po akuzohen ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj si dhe Pajtim Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj.

Seanca fillimisht ka vazhduar me mbrojtjen e të pandehurit të fundit, Ahmet Rrahmanaj para trupit gjykues. Rrahmanaj nga Prokuroria Speciale akuzohet për veprën penale “shpëlarje e parave”.

I pandehuri akuzohet se nga viti 2007 deri në vitin 2013 në vazhdimësi duke e ditur apo duke pasur arsye ta dijë se “paracelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, posaçërisht pronësia e tyre ishte privatizuar zyrtarisht nga i pandehuri Rrahmanaj si përfaqësues dhe vet si blerës.”

Avokati Bekim Kryeziu, e pyeti atë se kur dhe si ka ndodhur privatizimi.

“Privatizimi ka ndodhur në muajin maj 2007. Ndërmarrja ‘Mirusha e re’, ka dalur edhe dy herë të tjera në procesin e privatizimit, dy vite para se familja jonë të marrë vendim që të ofertojnë një ofertë”- u përgjigj i pandehuri Rrahmanaj.

Rrahmanaj në pyetjet e avokatit ka treguar edhe për procesin e njoftimit për shpalljen si fitues nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM).

“Në shpalljen e ofertës kanë marrë pjesë 9 ofertues dhe ne e kemi pasur ofertën më të lartë. Në momentin që jemi shpallur fitues jemi njoftuar nga AKM-ja tani AKP që jemi fitues dhe jemi në proces të verifikimit dhe të historiatit të ardhjes së parasë”- ka thënë ai.

Më tutje, sa i përket konfirmimit nga AKM-ja, Rrahmanaj ka potencuar se është njoftuar me shkrim për verifikimin e inspektoratit dhe llogarive bankare të biznesit.

Rrahmanaj është pyetur edhe për tashmë të ndjerin M.H., përfitues i tokës, se si janë njohur.

Ai ka thënë se është njoftuar për herë të parë me M.H., në vitin 2007 kur kishte ardhur të negociojë për blerjen dhe se kanë pasur marrëveshje.

Ai ka treguar se marrëveshja me M.H., është vërtetuar dhe përpiluar në prezencë të avokatit.

Po ashtu i akuzuari shtoi se po të e dinte se do të kalojë autostradë në tokat e tij, nuk do t’i kishte shitur ato prona.

“Së pari, nëse do ta dija se do të kalojë autostrada nëpër pronat e mia nuk do t’i kisha shitur, sepse do t’i ruaja dhe do zgjidhja problemin si dhe do të kisha fitime”- tha ai.

Rrahmanaj ka thënë se shitblerja e pronave të tij është bërë me marrëveshje dhe se pagesat janë bërë në xhirollogarinë e tij.

“Shitblerja ka ndodhur me marrëveshje, të gjitha pagesat janë bërë në xhirollogarinë time, edhe kontratat e të gjithë atyre njerëzve ju kanë fuqizuar me rastin e nënshkrimit të kontratës me AKP-në“, ka potencuar ai.

Tutje Rrahmanaj ka njoftuar se familja e tij ka mbi 10 milionë euro pasuri si dhe siç tha ai “janë kontribuuesit  më të mëdhenj të komunës së Malishevës.”

Ndërsa sa i përket aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale për “shpëlarje të parave”, ai ka thënë se nuk ka pasur nevojë të bëjë një gjë të tillë.

“Dhe me këtë e dëshmoj që s’kam pas nevojë të pastrojë para dhe janë para që kanë adresë, këtë”, tha Rrahmanaj në seancë.

Pas mbrojtjes në pyetjet e prokurorit dhe gjyqtarit, Rrahmanaj e ka shfrytëzuar të drejtën ligjore që të mbrohet në heshtje.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 19.06.2024.

Kujtojmë, që Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi,Bajram Hasani, Faton Thaqi dhe Ahmet Rrahmani.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria prentendon se e kanë bërë në atë mënyrë që si persona zyrtarë kanë mundësuar shpronsimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.

Ndërsa Ahmet Rrahmani nga prokuroria akuzohet për shpëlarje të parave në atë mënyrë që duke i ditur se këto parcela janë blerë me aktivitete kriminale i ka transferuar dhe tentuar që t’i transferojë me qëllim të shmangies nga pasojat juridike.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se i pandehuri Ahmet Rrahmani i me datën 11.07.2013 ka bërë bartjen e tokës në sipërfaqe prej 203 ha e 11 ha të privatizuar në emër të personit tani më të ndjerë M.H si përfitues i tokës, ku më datën 07.11.2013 ishin transferuar 200 mijë euro nga llogaria bankare tani më të ndjerit në llogarinë e pandehurit Ahmet Rrahmanaj dhe me të njëjtin ditë i pandehuri i kishte kthyer këtë shumë tek tani më i ndjeri Mustafë. “Krejt kjo më qëllim të mbulimit kinse të shitblerjes së tokës në vitin 2007”.

Shkrime të tjera në lidhje me këtë rast mund t’i gjeni në këtë  LINK.