Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Murati pas reagimit të DASH-it për aksionin në veri: Çdo veprim është i bazuar në shtrirjen e ligjshmërisë

Ministri i Financave, Hekuran Murati është përgjigjur në lidhje me deklaratat e Departamentit amerikan të Shtetit, se aksioni i Policisë së Kosovës në zyrat financiare në veri, më 20 maj, nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe si i tillë përshkallëzon tensionet.

DASH-i  për Radio Evropën e Lirë ka thënë se ky veprim minon perceptimet për mirëbesimin e Kosovës në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Murati ka deklaruar se nuk është në dijeni në lidhje me detajet e reagimit të DASH-it, megjithatë ka thënë se beson se çdo veprim është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e ligjshmërisë në çdo cep të vendit.

“Duhet ta kemi parasysh edhe një gjë; nuk është se ka ndodhur dje ai aktivitet. Me sa e pashë nga një reagim nga përfaqësuesi i Beogradit në dialog ishte që këto aktivitete apo këto zyra kanë filluar aktivitetin në vitin 2018, që është një fakt i rëndësishëm, sepse nuk është diçka që është trashëguar nga paslufta, por ka ndodhur pikërisht në vitin 2018 dhe kanë vazhduar aktivitetin në mënyrë të paligjshme dhe pa raportuar apo pa qenë të njoftuara organet e rendit”- ka deklaruar Murati.

Për aksionin e datës 20.05.2024, ministri tha se ka pasur dyshim të bazuar që po zhvillohet aktivitet financiar në kundërshtim me ligjin, pra aktivitet pa licencë financiare.

“Ka pasur dyshim të bazuar që [atje] po zhvillohet aktivitet financiar në kundërshtim me ligjin. Mund të jetë çfarëdo aktiviteti pa licencën e nevojshme, pavarësisht destinimit të mjeteve. Destinimi i mjeteve pastaj është hapi i dytë për të cilin besoj që organet e rendit kanë siguruar prova të mjaftueshme se për ku kanë qenë të dedikuara. Dyshimi i bazuar ka qenë se është zhvilluar aktivitet pa licencat financiare”- theksoi Murati.

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në veri më 20.05.2024 me ç’rast janë mbyllur gjashtë njësi të të ashtuquajturës “Bankë Postare e Kursimeve” (Banka Postanske Stedionica).

Sipas një komunikate për media, ky operacion rezultoi me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë rreth 1.6 milion euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), mbi 19 mijë franga e mbi 13 mijë dollarë amerikanë.

“Operacioni policor i realizuar sot në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme  materiale siç janë; Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinar, Rreth 19.500 franga, Rreth 13.800 dollar amerikan, Rreth 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”- thuhet në komunikatë.

Policia thotë se gjashtë filiale të të ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore” në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Banka Qendrore e Kosovës më 13.05.2024 ka bërë të ditur se e ka përmbyllur periudhën tremujore transitore për zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

BQK thotë se i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Më 01.02.2024 në Kosovë hyri në fuqi një Rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar edhe takime në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Me Rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave.