Sinan Vllasaliu i akuzuar për shmangie tatimore - (foto 21.09.2023)

Sinan Vllasaliu jep mbrojtën, e Prokuroria ia ndryshon paragrafin e veprës me të cilën akuzohej

Këngëtari i njohur kosovar Sinan Vllasaliu ka dalë sot përsëri në gjykatë si i akuzuar për shmangie tatimore.

Ai ka dhënë sot më 17.05.2024, mbrojtjen e tij lidhur me akuzën e Prokurorisë.

Vllasaliu gjatë dhënies së mbrojtjes tha se shmangia tatimore ka qenë e paqëllimshme, pasi që i njëjti bënë jetesë edhe në Amerikë edhe në Kosovë.

“Jo, kjo ka qenë shmangie e padijshme. Shumë vështirë është, pikërisht sepse është periudhë e mëhershme, t’u e marrë parasysh që unë jetoj ma shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam lëvizje në tërë Evropën, në tërë botën, në atë periudhë gjendem në Australi, çdo gjë që m’u ka shmangë, është e paqëllimshme.” – tha Vllasaliu gjatë dhënies së mbrojtjes.

Vllasaliu gjatë dhënies së mbrojtjes tha se i ka sjellë ATK-së faktet që i ka paguar taksat në Amerikë.

“Edhe kur më ka lyp ATK, s’kam qenë këtu, kanë pru vendime pa u marrë vesh me mu, s’po e akuzoj ATK-në, mospjesëmarrja ime ka qenë për shkak që kam jetu jashtë. Unë i kam sjellë AKT-së faktet edhe taksat e pagume çdo herë me kohë në Amerikë. Unë pajtona për këtë shmangien e pavetëdijshme, ekspertiza që e ka caktuar, jo ato për pjesën penale.” – tha mes tjerash Vllasaliu në gjykatë.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja Elza Bajrami njoftoi Gjykatën se kanë bërë rikualifikimin e paragrafit të veprës penale të Shmangies Tatimore.

Ky rikualifikim rezultoi të bëhet në paragrafin i cili është i dënueshëm me gjobë ose me burgim deri në tre vite, kurse me paragrafin që ishte i akuzuar fillimisht Vllasaliu, dënohej me gjobë ose me burgim nga 6 muaj deri në 5 vite.

“Duke pasur parasysh edhe dy ekspertiza që janë punuar dhe ekspertiza e dytë ka rezultuar me të cilën ne jemi pajtuar si prokurori, ka rezultuar me një shmangie në vlerë totale 3 mijë e 257 euro e 27 centë, atëherë ne si prokurori duke pasur parasysh këtë ekspertizë, bëjmë fillimisht rikualifikimin e veprës penale, ashtu që kualifikimi i cili ka qenë fillestar në aktakuzë dhe që ka qenë neni “shmangie nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës që ka hyrë në fuqi në vitin 2013, tani duke pasur parasysh edhe autorizimet tona si prokurori për faktin që kemi të bëjmë më një aktakuzë të kësaj prokurorie, bëjmë rikualifikimin në vepër penale nga shmangie e tatimit nga neni 313 paragrafi 1”- tha prokurorja duke kërkuar në fund dënimin e Vllasaliut.

Paragrafi 1 i veprës penale të shmangies tatimore dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 vite, kurse paragrafi dy dënohej me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj deri në 5 vite.

Nga ky rikualifikim që ka bërë prokuroria, nënkupton që Vllasliu mund të mos dënohet nga Gjykata e Prishtinës, pasi që ka arritur parashkrimi absolut ( vjetërsimi) i veprës penale me të cilën tashmë akuzohet këngëtari Kosovar.

Parashkrimi absolut i ndjekjes penale paraqitet kur kalon dyfishi i kohës që kërkohet sipas ligjit për parashkrimin, pa marrë parasysh në ndërprerjet apo ndaljet eventuale të mëparshme.

Vepra penale sipas prokurorisë nga Vllasaliu është kryer në vitin 2011-2015, ndërsa paragrafi me të cilin tashmë akuzohet Vllasaliu është i dënueshëm deri në 3 vite.

Nëse llogarisim dyfishin e dënimit (prej 3 vite) të cilin e parasheh kodi penal, i bie që në vitin 2021 ka ndodhur vjetërsimi (sipas rikualifikimit).

Në anën tjetër, avokati i Vllasaliut, Driton Musliu ka thënë se i mbrojturi i tij nuk ka bërë shmangie tatimore të qëllimshme, duke munguar elementi subjektiv i kësaj vepre penale.

“Po kjo e ka një element shumë qenësorë, që i mbrojturi im asnjëherë nuk e ka pranuar që ky ju ka shmang tatimit në mënyrë të qëllimshme, këtu është dallim esencial sa i përket pranimit të fajësisë, duke e pranuar borxhin, çfarë do borxhi që e nxjerrë një ekspertizë, por jo që e ka kryet atë me qëllim”- tha Driton Musliu.

Mbi bazën e mungesës së qëllimit në kryerje të veprës penale dhe pas rikualifikimit që bëri prokuroria, avokati Musliu kërkoi që Vllasaliu të lirohet nga akuzat e prokurorisë.

Rasiti është duke u gjykuar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës së Prishtinës nga Gjyqtarja Naime Krasniqi Jashanica.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, i akuzuari Sinan Vllasaliu në vazhdimësi për vitet fiskale 2011-2015 që ndërlidhet me pagesat tatimore, tarifa apo kontribute të tjera pranë ATK-së me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik dhe me këtë veprim ka dëmtuar buxhetin e shtetit në shumë prej mbi 24 mijë euro.

Kështu Vllasaliu, sipas aktakuzës, ka konsumuar veprën penale – shmangie nga tatimi.