Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KFOR-i konfirmon se është njoftuar për aksionin policor në veri, por s'është përfshirë në të

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar se janë njoftuar pak para fillimit të operacionit të Policisë së Kosovës për mbylljen e gjashtë degëve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë, në katër komunat në veri të Kosovës.

Por, KFOR-i thotë se personeli i tyre nuk është përfshirë në ekzekutimin e këtyre operacioneve.

“KFOR-i u njoftua pak para fillimit të operacioneve të institucioneve në Kosovë kundër degëve të Bankës Kursimore të Postës të vendosura në komunat veriore të Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Personeli i KFOR-it nuk ishte i përfshirë në ekzekutimin e këtyre operacioneve”- thuhet në komunikatën e KFOR-it.

KFOR-i thekson se pret konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale.

“KFOR-i vazhdon të mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja, duke ofruar kornizën e sigurisë së nevojshme që diplomacia të ecë përpara. Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”- thuhet më tej në komunikatë.

Më tej, misioni paqeruajtës nënvizon se është reaguesi i tretë në vend dhe se do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij- bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Mbyllja e gjashtë njësive të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, nga Policia dhe Administrata Tatimore e Kosovës, ka nxitur reagime te faktori ndërkombëtar. Ky veprim i autoriteteve kosovare po cilësohet si i pakoordinuar dhe se mund t’i përshkallëzojë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Operacioni i zhvilluar në pasditen e 20 majit 2024, rezultoi me konfiskimin e provave të ndryshme materiale, siç janë: rreth 1.6 milionë euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), mbi 19 mijë franga dhe mbi 13 mijë dollarë amerikanë.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për Kallxo.com, që janë të zhgënjyer që Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të tilla në zyrat financiare në veri të Kosovës me udhëzim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet”-  thuhet në përgjigjen e DASH-it.

Ky “aksion i pakoordinuar”, sipas zëdhënësit të DASH-it, minon perceptimet për mirëbesimin e Kosovës në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Ndërsa zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka deklaruar se ky operacion dëshmon se autoritetet e Kosovës i kanë më me “prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara” sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar se ky operacion dëshmon se autoritetet e Kosovës i kanë më me “prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara” sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët.

Njëjtë, edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësimin se veprime të tilla të pakoordinuara përshkallëzojnë tensionet.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka theksuar se ky aksion është zhvilluar me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit.

Sipas tij, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi për të cilin janë zotuar në vazhdimësi.

“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”- shkroi Sveçla në Facebook më 20.05.2024.

Policia kishte bërë të ditur se në objektet e këtyre njësive janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre.

Aksioni në veri i ligjshëm për autoritetet kosovare, zhgënjyes për aleatët ndërkombëtarë