Laboratori i Drogës në Zveçan: Foto MPB

Dosja e Gjykatës për laboratorin e drogës në Zubin Potok, shpallen fajtorë 5 serbë dhe 1 goran

Gjykata e Prishtinës i ka shpallur fajtorë 5 serbë dhe 1 goran të gjithë shtetas të Kosovës për kultivim të bimëve narkotike në një laborator të improvizuar brenda shtëpisë në afërsi të Zubin Potokut.

Sipas aktgjykimit të datës 24.03.2023, të pandehurit duke vepruar si anëtarë të grupit prej datës 20.07.2022, në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë kultivuar bimën e hashashit, ose bimën e kanabisit, për të prodhuar narkotikë ose substanca psikotropike.

Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi.

Për veprimet e lartcekura D. G. dhe D. T. janë dënuar veç e veç me 2 vite burgim dhe me 2,500 euro gjobë. N. N. dhe L. M. janë dënuar me nga 14 muaj burgim dhe 2,500 euro gjobë, K. D. dhe B. D. janë dënuar me nga 9 muaj burgim dhe 5,000 euro gjobë.

Dosja qartëson se vendimi është marrë pasi të pandehurit kishin pranuar fajësinë dhe kishin lidhur marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë me prokurorin special Rafet Halimi.

Kjo veprimtari, potencohet të jetë kryer në shtëpinë e të pandehurit D. G. saktësisht në podrumin e shtëpisë, në një laborator të improvizuar me pajisje për rritjen dhe kultivimin e kanabisit.

Dosja e gjykatës përshkruan se të dënuarit kanë bërë kultivimin e bimës narkotike dhe atë në saksi – vazo ku ishin të mbjella 155 bimë të dyshuara marihuanë me gjatësi prej 70 cm, në mënyrë që të njëjtat më pas t’i shpërndanin apo shisnin.

Gjykata ka vërtetuar se D. G. dhe D. T., kanë bërë organizimin e punës së grupit.

Të njëjtit thuhet të kenë angazhuar të pandehurit e tjerë nga Serbia e Kosova, në kryerjen e punëve konkrete, përkatësisht në kultivimin e bimëve narkotike, në rregullimin e laboratorit, angazhimin në mirëmbajtjen e bimëve narkotike, tharjes së saj, si dhe në gjetjen e personave për shpërndarje dhe shitje.

Ndërsa N. N. dhe L. M. si pjesëtar të grupit janë angazhuar në kultivimin e bimëve narkotike, në mirëmbajtjen dhe rritjen e tyre duke filluar me mbjelljen, ujitjen, ushqyerjen dhe krasitjen e tyre.

Po ashtu gjykata ka gjetur se të njëjtit merreshin me gjetjen e blerësve potencial të drogës e po ashtu edhe transportimin e lëndëve narkotike për shitje.

K. G. dhe B. G. është gjetur se po ashtu kanë ndihmuar në kultivimin e bimëve narkotike dhe në organizimin e punës përreth.

Në dosjen e Gjykatës thuhet se rastin e kontrollit nga ana e policisë, të pandehurit janë arrestuar në vendin e ngjarjes dhe aty janë gjetur dhe konfiskuar një sasi e madhe e bimëve të thata me rreth 50 kg, si dhe pajisjet përcjellëse për mirëmbajtjen e laboratorit dhe atë gërshërë dhe peshore për matje precise.

Me këto veprime të lartcekurit duke vepruar në grup kanë kryer veprën penale – Kultivim i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve, precizon aktgjykimi.

Në këtë proces mbrojtës i D. G., ishte avokati Asdren Hoxha, mbrojtës i D. T.  ishte avokati Gani Hoxha, i N. N. avokati Ljubomir Pantoviq, i L. M. avokati Predrag Milkoviq, i K. D. avokati Faruk Korenica, i B. D. avokati Dejan Vasiq.