I dyshuari si administrator i grupit 'Albkings' në Telegram, i ulur në gjykatë: Foto: Kallxo.com/18.04.2024

I vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të dyshuarit si një nga administratorët e grupit 'AlbKings'

Gjykata e Prishtinës e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për t’ia vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë Edin Nevzadit, i dyshuar si njëri nga administratorët e grupit në Telegram “AlbKings”, nga i cili po denigrohen gratë dhe vajzat.

“Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 15.05.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit E.N iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 muaj” – ia ka konfirmuar KALLXO.com përmes e-mail-it, më 16.05.2024, zëdhënësja e gjykatës Mirlinda Gashi.

Kurse, avokati i Edin Nevzadit, Besnik Bajrami ka treguar se e kanë pranuar vendimin për vazhdimin e paraburgimit.

“Po dje e kemi marrë vendimin, iu ka zgjatë paraburgimi edhe për dy muaj. Arsyeja kryesore Prokuroria e ka cekë që është duke e pritë raportin e ekzaminimit të telefonit edhe pa e marrë ekzaminimin e telefonit nuk ka mujtë me kërku ndonjë masë tjetër [të sigurisë]” – i ka thënë avokati për KALLXO.com.

Avokati ka shtuar se klienti i tij, Edin Nevzadi ka shprehur gadishmëri për të bashkëpunuar me prokurorinë.

“Edini ka kërkua, përmes meje, që të intervistohet prej prokurores, pra ka kërkuar me bashkëpunu me ia dhënë fjalëkalimin e telefonit. Në qendrën e paraburgut e ka dhënë deklaratën shtesë ku e ka treguar fjalëkalimin e telefonit sepse [Edini] është shprehur se [në telefon] nuk ka asgjë dhe nuk ka qenë as administrator e as anëtar i grupit” – ka shtuar avokati Besnik Bajrami.

I njëjti ka treguar se tashmë janë bërë dy javë prej kur Edin Nevzadi e ka dhënë fjalëkalimin e telefonit.

“Këtë të hënë (13.05.2024) janë bërë dy javë prej që e kemi dhënë fjalëkalimin e telefonit dhe ende Forenzika nuk e kanë përgatitur raportin” – është shprehur avokati Bajrami.

Edin Nevzadi ishte arrestuar më 17.04.2024 nga Policia për shkak të dyshimit se kishte kryer veprën penale “Vjedhje e identitetit dhe kredencialeve”.

Kjo vepër penale mund të dënohet deri në 5 vite burgim sipas legjislacionit të Kosovës. I njëjti po qëndron në paraburgim prej datës 18.04.2024.

Prokuroria e Prishtinës ka apeluar që të dëmtuarat në rastin e ‘Albkings’ të paraqiten në polici për të bashkëpunuar.

Një hulumtim i KALLXO.com pati zbuluar se në vend ishte krijuar një grup i cili në kohë rekorde ka arritur të mbledhë mbi 112 mijë anëtarë. Në grup  shpërndaheshin ë dhëna personale, emra, mbiemra, numra të telefonit si dhe video e fotografi intime, denigruese kryesisht të vajzave dhe grave.

Pjesë e publikimeve në grup janë edhe fotografi të montuara që njihen si “Deep fake”, të personave, fytyrave publike të cilët kanë reaguar apo raportuar për këtë grup.

“A ka ndonjë foto, qysh me pa ma shumë foto”- shkruan njëri nga anëtarët me emrin e koduar si “Private Account”. “Sa ke çmimi dhe e kahit?”- është një pyetje tjetër e “Bafto Baftjari” që është pjesë e këtij grupi.

“Rregullat” e grupit dërgohen disa herë që anëtarët të kujdesen që mos t’i shkelin ato.

Në Kosovë, shpërndarja e paautorizuar e fotografive apo pamjeve të tjera është vepër penale e dënueshme me Kodin Penal.

Njëri nga antarët e grupit ishte arrestuar në shkurt të k¡tij viti. Sipas një dokumenti të siguruar nga KALLXO.com, më 14.01.2024  një 18-vjeçar nga Prizreni me inicialet L.B., dyshohet se përmes telefonit të tij fillimisht kishte kërkuar nga një vajzë që të kryente disa veprime sipas dëshirës së tij, por që e njëjta nuk kishte pranuar.

Sipas dosjes, refuzimi i vajzës për të kryer veprime çoi deri te kërcënimi ndaj saj nga i dyshuari L.B., se do t’i publikonte apo shpërndante fotografi të së njëjtës si dhe të dhëna të tjera personale.

Dosja thotë se vajza nuk i ishte bindur kërkesave të 18-vjeçarit dhe më pas ky i fundit kishte publikuar fotografi të viktimës në rrjetin social “Telegram”, konkretisht në një grup në të cilin atë kohë ishin të anëtarësuar rreth 80 mijë persona.

Kur vajza kishte kuptuar këtë çështje, menjëherë i ishte drejtuar organeve të rendit të cilët kishin nisur edhe të trajtonin ngjarjen e cila përfundoi me arrestim e të dyshuarit më 5 shkurt.

Së fundi në grupin “AlbKings” është shpërndarë edhe numri i telefonit i gazetares Ardiana Thaçi – Mehmeti.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar se në emisionin “Kiks Kosova”, i cili i është dedikuar ekskluzivisht shqetësimit të vazhdueshëm që i është bërë gazetares Thaçi – Mehmeti nga dhjetëra burra që janë pjesë e këtij grupi, “bëhet e ditur se numri i është shpërndarë qëllimisht në shenjë hakmarrjeje për raportimet e mëparshme të saja lidhur me Albkings.”

Në lidhje me këtë rast është arrestuar një person i dyshuar dhe i njëjti ndodhet në baraburgim.

Telefonata e mesazhe të shumta, siç thotë AGK, gazetarja ka pranuar edhe në rrjete sociale.

Rrjeti social “Telegram” është krijuar në vitin 2013, ndërsa themeluesit e tij janë dy vëllezër Pavel dhe Nikolai Durov – të dy me prejardhje ruse.

Ekipi i “Telegram” është i vendosur në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa ishte detyruar të largohej nga Rusia për shkak të rregulloreve lokale.

Qëllimi i këtij aplikacioni ishte mbrojtja e privatësisë, përgjimit nga palët e treta. Ndërsa arsyeja se pse “lejohet” paligjshmëria në këtë aplikacion në bazë të të dhënave zyrtare të vetë “Telegram”-it është se të gjitha bisedat janë në grupe private dhe se nuk përpunohet asnjë kërkesë në lidhje me to.

Në “Telegram” aktualisht mund të gjesh kanale dhe grupe të ndryshme të cilat u dedikohen specifikisht aktiviteteve ilegale.

Raportimet paraprake të Kallxo.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.

Shënim redaktorial: Redaksia e KALLXO.com ka vendosur që për shkak të sigurisë kibernetike të gazetarëve të mbulojë emrin e gazetarëve.