I akuzuari Masar Gërdovci - Foto: KALLXO.com
Prek fundin për herë të katërt gjykimi i të akuzuarve për rastin e vrasjes në lokalin “Bon Vivant”
Sherif Krasniqi dhe Masar Gërdovci, të akuzuar për rastin ku kishte mbetur i vrarë Rrahman Uka, roje në lokalin ‘Bon Vivant”, në vitin 2014, janë ulur sërish sot, më 20.05.2024, në bankën e të akuzuarve.
Në seancën e sotme janë dhënë fjalët përfundimtare.
Që nga vrasja kanë kaluar pothuajse 10 vjet dhe procesi gjyqësor për këtë rast po vazhdon ende të gjykohet në shkallë të parë. Kjo është hera e katërt që po gjykohet ky rast, pasi tri herë të tjera Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.
Prokurori Armend Hamiti tha se të akuzuarit Gërdovci dhe Krasniqi janë personat që kanë kryer veprën penale nga veprimet e të cilëve kishte mbetur i vrarë Rrahman Uka, roje në lokalin “Bon Vivant”.
“Në çështjen penale kundër të akuzuarve Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi për shkak se në bashkëkryerje kanë kryer veprën tani e tutje nga ky rigjykim, bazuar në vendimin e Gjykatës së Apelit, d.m.th. e ka bo ricilësimin nga – vrasje e rëndë në – vrasje. Vërtetohet përtej dyshimit mirë të bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale ashtu siç, vrasje në bashkëkryerje”- tha Hamiti
Hamiti kërkoi nga trupi gjykues që të marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese dhe Gjykata të shpallë aktgjykim dënues për të akuzuarit e këtij rasti.
“Andaj kërkoj nga Gjykata që pasi t’i vlerësojë këto rrethana rënduese dhe lehtësuese të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë në përputhje me Kodin”- tha tutje Hamiti.
Kurse avokati Naim Rudari, i cili mbron të akuzuarin Masar Gërdovci, tha se asnjëherë Prokuroria nuk ka arritur ta vërtetojë se Masar Gërdovci ka qenë ai që e ka shkrepur armën. Në mungesë të këtij precizimi, Rudari kërkoi nga Gjykata që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat e Prokurorisë.
“Nuk është vërtetuar se Masari ka shkrepur armën në ditën kritike dhe është kryes i kësaj vepre. Si do që të jetë kërkojmë nga Gjykata që në mungesë të vërtetimit të saktësimit të kësaj ngjarjeje se çfarë ka ndodhur, Masar Gërdovci të lirohet nga kjo aktakuzë, përveç asaj që e ka pranuar veprën penale për armëmbajtje pa leje”- tha Rudari.
Vetë i akuzuari Gërdovci shprehu keqardhje dhe ngushëlloi familjarët e viktimës. Ai tha se është dënuar dy herë nga Gjykata e Prishtinës në mungesë të provave.
“Jam dënu si i dënum në bashkëveprim si i dyshuar, kurse vrasësi sipas aktakuzës, është liru, kjo s’pi ujë me kurrgjë hiç, unë si bashkëveprues a vrasësi lirohet, kjo s’ka ndodhë kurrë në botë, tri here, jo dy herë. Suzana Qerkini me të njëjtën aktakuzë që nuk jam vrasësi unë m’ka dënu, një herë m’ka dënu 22 vjet, një herë m’ka dënu 18 vjet pa asnjë fakt, e n’fund zotëri prokuror e ndërron aktakuzën e më lë mua vrasës”- tha Gërdovci.
I pandehuri tha se e tërë ngjarja me të cilën po dënohet është një dallavere që është bërë nga Prokuroria dhe Gjykata.
“Ky është dallaver Prokurori – Gjykatë. Dua drejtësi” – tha tutje Gërdovci.
I akuzuari tha se në vendin ku kishte ndodhur ngjarja, kishte kamera të sigurisë që kishin incizuar tërë ngjarjen, por që, sipas tij, Uran Ismaili ka qenë personi që i ka fshehur ato.
“Ekzistojnë, incizimet ekzistojnë, prapa incizimeve po fshihet diçka e madhe, po fshihet e vërteta e rastit tim. Ju kisha lutë pronarët e “Bon Vivant”-it me në krye Uran Ismailin le të bahet burrë le t’i qet kamerat publikisht, kamerat zotëri gjyqtar ekzistojnë, i bindur jam, kam fakte, kam shumë material me fol, po ta kam dhanë besën që në pika të shkurta po e them, kam shumë emra me përmend po s’po du me i përmend publikisht, që janë të involvum në manipulimet e poshtërsitë e dredhinat që i kanë bërë, tri herë jam dënu pa asnjë provë. Incizimet, incizimet betohna në familje që ekzistojnë, prapa fshehjes së incizimeve është Uran Ismajli, i bindur jam, Uran Ismaili është ai që i ka fshehë incizimet”- tha për fund Gërdovci.
Kurse mbrojtësi Haxhi Millaku, që mbron Sherif Krasniqin, kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza pasi që për afër 7 vite ka qenë në masën e paraburgimit.
“Konsideroj se i mbrojtur im të lirohet nga akuza, me aktgjykim gjyqësor lirues sepse pa bazë ka nejtë 7 vite pa dy muaj në paraburgim”- tha Millaku.
Përndryshe në seancën e datës 26.09.2023, në seancën e parë të rigjykimit për herë të tretë, prokuroria kishte bërë rikualifikimin e veprës penale për të akuzuarin Masar Gërdovci nga “vrasje e rëndë” në “vrasje”.
Ky rikualifikim kishte ardhur nga prokurori, Armend Hamiti, i cili ka potencuar faktin se rikualifikimi është bërë në bazë të rekomandimeve të Gjykatës së Apelit.
Lidhur me rikualifikimin që e kishte bërë prokurori, i pakënaqur është shprehur familjari i të dëmtuarit që ishte i pranishëm në seancë. Ai deklaroi se më nuk do ta ndjekin gjykimin e këtij rasti.
Kujtojmë që Gjykata Themelore për herë të tretë kishte gjetur fajtorë të akuzuarit lidhur me rastin. Gjykata e kishte gjetur fajtor Masar Gërdovcin për veprën penale – vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe të njëjtit i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 vitesh, si dhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje Gjykata i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 1,500 euro.
Kurse Sherif Krasniqit për veprën penale – vrasje e rëndë në bashkëkryerje i ka shqiptuar dënim me kohëzgjatje prej 7 vitesh, ndërsa për veprën penale – armëmbajtje pa leje është refuzuar aktakuza meqë prokuroria është tërhequr nga kjo akuzë.
Lidhur me aktgjykimin dënues të Themelores ankesë kishin ushtruar të gjitha palët, përfshirë këtu edhe familjarët e të dëmtuarit.
Kolegji i Apelit në përbërje të gjyqtarëve Beqir Kalludra – kryetar, Hashim Qollaku dhe Tonka Berishaj – anëtarë, në trajtimin e ankesave të palëve në procedurë me aktvendimin e datës 13 qershor të këtij viti, ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë është përfshirë në shkelje esenciale të Kodit të procedurës penale.
E sipas kësaj, Apeli ka gjetur se në vendimin e Themelores dy të akuzuarit janë shpallur fajtor për vrasje të rëndë, kurse të akuzuarit në gjykimet e më hershme kanë qenë të dënuar për veprën penale të vrasjes.
Vendimi i shkallës së parë ishte marrë në janar të këtij viti, nga gjyqtari Avni Syla – kryetar i trupit gjykues, Alltëne Murseli dhe Shpresa Hasaj- Hyseni – anëtare.
Kujtojmë që me aktgjykimin {për herë të dytë} të Themelores, të datës 18.12.2020, Masar Gërdovci ishte dënuar me 18 vjet burgim për vrasje në bashkëkryerje dhe 1500 euro me gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi ishte dënuar me 6 vjet burgim.
Me aktgjykimin e Apelit të datës 02.04.2021 është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë vetëm në lidhje me të pandehurin Sherif Krasniqi të cilit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh.
Të pandehurit Masar Gërdovci, herën e parë Gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.
Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, Gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga – vrasja e rëndë në – pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.
Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.
Në lokalin “Bon Vivant” më 13.10.2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.
Gjë për të cilën ishin dënuar tri herë dhe rasti tashmë është duke u gjykuar për herën e katërt.