Mbledhja e Komisionit për ASHTIKRS. Foto: KALLXO.com.

Përplasje në Komisionin për Arsim e Kulturë, opozita akuzon pushtetin për kontrabandim projektligjesh

Me gati gjysmë ore vonesë ka nisur mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, ku ishte paraparë shqyrtimi i Projektligjin për Rininë, Projektligjit për Sport dhe shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Sponzorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

E pranishme në mbledhje ishte edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

Vonesa në mbledhje e kryetarit të këtij komisioni Ardian Gola dhe deputetes Arjeta Fejza, për gati gjysmë ore ka irrituar deputetet Vlora Dumoshi (LDK) dhe Albena Reshitaj (AAK), të cilat e lëshuan mbledhjen duke pamundësuar për disa minuta vazhdimin e saj për shkak të mungesës së kuorumit.

“Është e paarsyeshme [vonesa]. Duhet me pasë respekt dhe është dashur të na lajmërosh qoftë përmes një mesazhi. Kjo s’ka kuptim”- i ka thënë Dumoshi Golës.

Ky i fundit nuk arriti t’i bind deputetet që të kthehen në mbledhje.

Deputetja Vlora Dumoshi tha për KALLXO.com se me këto veprime, deputetët e pozitës janë duke i kontrabanduar projektligjet. Ajo tha se ishte përgatitur t’i paraqiste shqetësimet e saj lidhur me Projektligjin për rininë, por iu pamundësua nga kahja që mori mbledhja me vonesat e deputetëve të pozitës.

Duke u fokusuar te themelimi i Agjencisë për Rini, siç parashihet me projektligjin e propozuar për rininë, Dumoshi tha se themelimi i kësaj agjencie është në kundërshtim me rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës se Kryeministrit dhe ministrive.

“Rregullorja e qeverisë e parasheh Departamentin i Rinisë në MKRS, që e mbulon fushën rinisë. Prandaj themelimi i Agjencisë për rini është në kundërshtim edhe me reformën e administratës  publike e cila parasheh shuarjen e agjencive ekzistuese e lëre më themelimin e agjencive të reja. Kjo vjen edhe si rekomandim i Bashkimit Europian”- ka thënë Dumoshi për KALLXO.com, pas largimi nga mbledhja e komisionit.

Miratimi i projektligjeve pa opozitën

Mbledhja e Komisionit vazhdoi pasi kuorumi u plotësua me prezencën e deputetit Enis Kervan (KDTP). Përveç Dumoshit e Reshitajt, në mbledhjen e Komisionit nuk morën pjesë as Eliza Hoxha dhe Ardian Kastrati nga PDK-ja.

Pa deputetët e opozitës, Komisioni parlamentar ka shqyrtuar dhe miratuar amendamentet e propozuara, por edhe gjithë Projektligjin për Rini për ta proceduar në komisionet tjera të përhershme.

Ndërsa, me dy ndryshime të propozuara nga zv/ministrja e Kulturës, Osmani, Komisioni ka miratuar Projektligjin për Sport.

“Janë dy amendamente që janë teknike. Te neni 1, fjalia ‘veprimtaria sportive’, duhet zëvendësohet me ‘sportit’. Po ashtu të shtohet edhe themelimi i Inspektoratit të Sportit”- ishte propozimi i zv/ministres Osmani.

Komisioni miratoi shqyrtimin e amendamenteve të propozuara nga Grupi punues dhe zv/ministrja Osmani, por jo edhe ato të propozuara nga deputeti Bekim Haxhiu (PKD).

“Për hir të korrektësisë mendoj që këto amendamente janë një shtytje e mirë për Grupin punues dhe komentet e Bekim Haxhiut në një mënyrë ose tjetrën, aty ku është gjetur hapësirë për akomodim në projektligj janë marrë parasysh dhe sigurisht që e falënderojmë për punën e bërë”- ka thënë kryetari i Komisionin Ardian Gola.

Ndërkaq, shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 06/L-116, u shty për një mbledhje tjetër.