Në 79-vjetorin e themelimit të "Rilindjes" promovohet libri i ish-gazetarit Hamdi Podvorica

Në shënimin e 79-vjetorit të themelimit të gazetës “Rilindja”, në Institutin Albanologjik sot, më 12.2.2024, është promovuar libri i ish -gazetarit Hamdi Podvorica “Gjenocidi i Serbisë dhe përpjekjet për mëvetësi të Kosovës (1990-1999) – në sytë e gazetarit të ‘Rilindjes’”.

Ish-gazetarë e personalitete të viteve ’90 të shekullit të kaluar vlerësuan kontributin e kolegut të tyre në dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia gjatë viteve 199o/99 në Kosovë.

Libri “Gjenocidi i Serbisë dhe përpjekjet për mëvetësi të Kosovës (1990-1999) – në sytë e gazetarit të ‘Rilindjes’” përfshin një pjesë të shkrimeve të Podvoricës si gazetar të botuara gazetën ‘Rilindja” dhe çështje të tjera që karakterizuan vitet ’90, si Konferenca e Rambujesë, rezistenca ndaj okupimit serb, lufta e UÇK-së, deri te fillimet e shtetndërtimit të Kosovës.

Akademik Arsim Bajrami tha gjatë fjalës së tij se me botimin e këtij libri ish-gazetari dhe gjyqtari Podvorica po jep një kontribut në dokumentimin e gjenocidit që shteti serb ka kryer gjatë viteve 1990/99. Sipas tij, Podvorica ka dokumentuar në mënyrë faktike krimet serbe në Kosovë. “Në këtë libër autori ka përfshirë tri segmente kryesore të zhvillimeve që kanë përfshirë Kosovën gjatë viteve 1990-1999. Botimi i këtij libri ka rëndësi dokumentare, pedagogjike e shkencore”- ka thënë ai.

Ndërsa, Rafet Mahmuti nga Universiteti i Tetovës tha se ky libër pasqyron në mënyrë të dokumentuar krimet që ka kryer Serbia por edhe zhvilimet që çuan në çlirimin e Kosovës.

“Ky libër me fakte konkrete, shkrime të kohës, intervista dhe analiza e kritike, të përmbledhura në këtë libër ka dokumentuar gjenocidin serb në Kosovë dhe rezistencën heroike të popullit  të Kosovës në rrugën e tij për liri”- tha Mahmuti ndër të tjera.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe Ismet Salihu, ekspert i së drejtës ndërkombëtare penale.

Ai tha se Qeveria duhet sa më parë ta riaktivizojë Institutin për Krimet e Luftës.

“Për dokumentimin e krimeve të luftës është bërë pak, ndaj apelojmë që urgjentisht të rithemelohet Instituti për Krime të Luftës dhe t’i jepet mbështetja e nevojshme që të dokumentohen krimet. Paramendojeni nëse dikush vjen dhe kërkon numrin e saktë të të vrarëve, nuk ka“- tha ai, duke shtuar se bashkë me Institutin duhet të krijohet edhe Muzeu i gjenocidit.

Ndërsa autori i librit, Hamdi Podvorica, tha se përmes këtij libri ka përmbledhur një pjesë të shkrimeve që ai i ka botuar në “Rilindje” si gazetar, të cilat dëshmonin, sidomos dhunën që ushtrohej atë kohë ndaj mediave në Kosovë.

“Kam bërë përpjekje ta mbrojë ‘Rilindjen’, Radiotelevizionin e Prishtinës dhe kam bërë tri padi në gjykatat kompetente të kohës (ish- Jugosllavi) për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe  kundër një ligji që parashihte formimin e ndërmarrjes ‘Panorama’ në Prishtinë”- tha ai.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, mbi 13 mijë qytetarë të Kosovës janë vrarë gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Mbi 10 mijë prej tyre janë shqiptarë, mbi 2 mijë e të tjerët nga komunitetet e tjera.

Pavarësisht politikës shfarosëse të forcave jugosllave e serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, asnjë institucion ndërkombëtar nuk i ka cilësuar gjenocid mizoritë e forcave serbe.

Gjatë këtij aktiviteti u prezantua edhe libri “Komentar i Ligjit të Trashëgimisë në Kosovë”. Botimi i këtij komentari konsiderohet si shumë me rëndësi për zbërthimin e një prej problemeve më të mëdha me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare e pasluftës – trashëgimia.