
Policia nuk lejon vendosjen e flamujve të komuniteteve në objektet qeveritare
Policia e Kosovës nuk e ka lejuar kryetarin e Iniciativës qytetare “Mbijetesa serbe” nga Mitrovica e veriut, Aleksandar Arsenijeviq që të vendos flamuj të komuniteteve në objektin e ish-Rilindjes, ku janë të vendosura disa ministri.
Në këtë aksion, Arsenijeviq ka qenë i përcjell edhe nga Skënder Sadiku, nënkryetar për Komunitete në Mitrovicën veriore.
Qëllimi i aksionit të sotëm për vendosjen e flamujve të komuniteteve në ndërtesat qeveritare, karshi atij shqiptar, sipas Arsenijeviqit, është që pjesëtarët e komuniteteve nuk do të ndjehen të diskriminuar, por qytetarë të barabartë të shtetit të Kosovës.
Arsenijeviq propozoi që 14 qershori të shpallet dita e multietnicitetit.
“Ne duam që edhe flamujt e komuniteteve tjera të jenë të vendosur para objekteve qeveritare. Kosova është shtet multietik dhe këtë e garanton edhe kushtetua”- ka thënë Arsenijeviq.
Në këtë aksion, aktivisti Arsenijeviq është përkrahur nga Skënder Sadiku, i cili tha se pajtohet dhe është e drejtë që edhe flamujt e komuniteteve të vendosen e para institucioneve publike.
“Unë e mbështes iniciativën e Arsenijeviqit, pasi ky vend është i lirë dhe duhet të frymëzoj lirshëm për të gjithë. Policia na tha se nuk mund t’i vendosim flamujt për shkak të rregullave, ne i kem sjell flamujt e komuniteteve, par nuk bëhet fjalë për flamurin e Serbisë, por të serbëve që jetojnë në Kosovë”- tha Sadiku.
Pas përfundimit të aksionit, Arsenijeviq e Sadiku, për arsye sigurie janë përcjell nga policia deri tek makina e tyre.