Foto: Pixabay

Ndalja e transmetimit të ndeshjeve të Premier Ligës nga disa kabllorë, KPM po trajton ankesat e qytetarëve

Që nga 1 janari i vitit 2024 kanë filluar ankesat se disa nga operatorët e kabllorëve në Kosovë nuk po e transmetojnë më Premier Ligën e futbollit anglez.

Qytetarët kanë raportuar se edhe pse kanë bërë abonime vjetore në disa nga operatorët e kabllorëve ku kanë qenë të përfshira edhe kanalet sportive që e transmetojnë Premier Ligën angleze, tanimë atyre i është ndalur transmetimi.

Komisioni i Pavarur për Media thotë se për ndërprerjen e transmetimit të Premier Ligës “nuk është njoftuar paraprakisht për ndërprerjen ose jo te marrëveshjes ndërmjet palëve, mirëpo kemi qenë të njoftuar përmes emailit rreth komunikimit në mes të Digitalb dhe Artmotion në lidhje me skadimin  e kontratës në mes tyre”.

Në muajin nëntor të vitit 2023, KPM në një përgjigje për Kallxo.com pati treguar se një ofrues i shërbimeve kabllore sipas kontratës së deponuar në KPM, kishte marrëveshje deri më 31 dhjetor 2023 për transmetimin e Premier Ligës.

Sipas marrëveshjes se deponuar në KPM nga operatori Artmotion, Afati i kontratës, përcaktohet  e “Kjo Marrëveshje do të hyjë në fuqi me datë 1 Janar 2023 dhe do të jetë e vlefshme deri më 31 Dhjetor 2023”” – thuhej në përgjigjen e KPM-së në nëntor.

Komisioni i Pavarur i Mediave, më 4 janar 2024 për KALLXO.com tha se “e ka kuptuar në bazë të ankesave të përdoruesve të pakove të shërbimit televiziv të Ofruesve të shpërndarjes që ndërprerja është bërë me datën 1 janar 2024”.

Ky Komision thotë se nuk ka njohuri për arsyet e ndaljes së transmetimit të Premier Ligës por se ka kontaktuar me këtë ligë dhe se Premier Liga u konfirmoi se të drejtat e transmetimit në Kosovë i kanë Digitalb në gjuhën shqipe dhe Arena Sport në gjuhën serbe.

Një numër ankesash u dërguan në KPM nga qytetarët rreth ndaljes së transmetimit të ndeshjeve të Premier Ligës.

KPM ndonëse thotë se nuk mund të detyrojë të sjellë programet në Kosovë subjektin me të drejta të transmetimit të kësaj lige, pasi që ky subjekt nuk është i licencuar nga KPM.

Megjithatë, normative ligjore e KPM-së parasheh një nivel të mbrojtjes së përdoruesve në rast të mos ofrimit të shërbimeve të parapara në kontratë. KPM po trajton secilën ankesë veç e veç dhe pas analizimit të rasteve mund të ndërmerr hapa ligjor nëse operatorët e shpërndarjes kanë dështuar të veprojnë në pajtim me Rregulloren KPM-2020/01”, thuhet tutje në përgjigjen e KPM-së.

Disa ofrues të shërbimeve që i ka kontaktuar KALLXO.com nuk kanë kthyer përgjigje si dhe nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike të redaksisë deri në publikimin e këtij artikulli.

Më 4 janar 2024, DigitAlb ka dalë me një sqarim për publikun kosovar.

Kompania nga Shqipëria ka ftuar të gjithë të interesuarit për transmetimin e programeve të tyre që të lidhin marrëveshje së bashku.

Nisur nga spekulimet e ditëve të fundit, DigitAlb  deklaron se është i hapur për bashkëpunim dhe distribucion të kanaleve televizive kundrejt të gjitha Platformave Televizive dhe të Telekomunikacionit në Republikën e Kosovës, në mënyrë qe i gjithë publiku në Kosovë të ketë qasje” – thuhet në sqarimin e DigitAlb.