Futet në agjendën e KPM-së diskutimi për letrën e Premier Ligës për të drejtat e transmetimit në Kosovë

Komisioni i Pavarur për Media (KPM) në mbledhjen që po mbahet më 19.03.2024, ka përfshirë si pikë të rendit të ditës, letrën e dërguar nga liga elitë e futbollit anglez, Premier Liga, në lidhje me të drejtat e transmetimit të kësaj lige në Kosovë.

Mbledhja që nisi më 19.03.2023 pritet që të vazhdojë edhe nesër, për shkak të agjendës së bordit të KPM-së.

“Pika e re në rend të ditës ka të bëjë me letrën që ka ardhur nga Premier Liga dhe përmbajtja e asaj letre dallon nga pyetjet tona. Duke e pa si pikë të rëndësishme propozoj që kjo pikë të futet në agjendë. Kjo do të diskutohet nesër pasi që sot duhet ta përfundojmë deri në ora 16:00” – ka thënë kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti.

Ndërsa anëtarja e bordit të KPM-së, Luljeta Aliu, propozoi që sot të trajtohen temat që ndërlidhen me transmetimet e ndeshjeve në Kosovë nga ‘Arenasport’ dhe ‘Artmotion’.

“Propozoj që sot të trajtohen temat që lidhen me Arenën dhe Artmotion, të tjerat nuk kanë rëndësi më shumë. Patjetër mendoj që sot duhet të trajtohet. Është urgjente që sot të trajtohen. Nuk e miratoj në këtë formë, nuk është profesionale në këtë formë” – tha Aliu gjatë mbledhjes.

Ky propozim i Aliut nuk mori votat e mjaftueshme dhe rrjedhimisht letra e Premier Ligës u la që të diskutohet për mbledhjen e nesërme.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit parlamentar për media, Valon Ramadani, më 13.03.2024 kishte publikuar një letër të pranuar nga liga e futbollit të Anglisë, Premier League, në të cilën mohohet se ‘Artmotion’ mund t’i transmetojë ndeshjet e saj.

Ramadani kishte thënë se “transmetimet deri tani del të jenë bërë jashtëligjshëm dhe si të tilla do të duhej të trajtoheshin nga Komisioni i Pavarur i Mediave”.

Lidhur me ketë çështje kishte reaguar po ashtu KPM-ja, duke thënë se sqarimet e dhëna nga Premier League në këtë letër paraqesin informata deri më tani të panjohura për KPM-në.

KPM reagon lidhur me letrën e Premier League për të drejtat e transmetimit të ndeshjeve