Stadiumi "Fadil Vokrri" | Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com
Kurti: Investuam 200 milionë euro në infrastrukturën e futbollit, sivjet nisim procedurat për stadiumin nacional
Kryeministri, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria që ai e drejton ka investuar 200 milionë euro në infrastrukturën e futbollit, gjegjësisht në stadiumet dhe fushat ndihmëse të përcaktuara për këtë sport.
Këso investimi që ka bërë “transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit”, ai thotë se nuk ka pasur asnjëherë në Kosovë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti ka treguar se çfarë konkretisht është duke bërë Qeveria nëpër stadiumet e futbollit, njëherësh ka paralajmëruar se “gjatë këtij viti do të nisin procedurat për stadiumin nacional të Kosovës”.
“Kemi nisur rindërtimin e tërësishëm të fushës së stadiumit ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë. Punimet vazhdojnë në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë. Për përfundimin e punimeve në stadiumin e qytetit të Gjakovës kemi zotuar nëntë milionë euro. Po hartohen projektet për renovimin e stadiumit të Pejës dhe ndërtimin e stadiumit të ri të Ferizajit. Për stadiumin e Gjilanit po zhvillohen procedurat e prokurimit për zbatimin e punimeve, ndërsa shumë shpejt nisim procedurat për fazën e fundit të punimeve në stadiumin ‘Përparim Thaçi’ në Prizren”- ka bërë të ditur Kurti.
Një muaj më parë, saktësisht më 29.03.2024, nisën punimet për rindërtimin e tërësishëm të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Për renovimin e kësaj fushe, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federata e Futbollit të Kosovës kishin arritur marrëveshje në nëntor të vitit të kaluar. Për këtë qëllim janë ndarë 1.3 milion euro.
Stadiumi “Fadil Vokrri” ishte mbyllur në nëntor të 2023-ës, për shkak të dëmtimit të madh që kishte pësuar fusha, si rezultat i ngarkesës së madhe dhe mirëmbajtjes jo të duhur. Po në fund të nëntorit vitit të kaluar, UEFA nuk lejoi “Ballkanin” që të luante në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Konferencës.
Kryeministri Kurti ka njoftuar se punimet janë duke vazhduar edhe në stadiumet e Malishevës e Shtimes, si dhe në fushat ndihmëse në Bërnicë, Gjilan, Raushiq, Studençan, Komoran dhe Kllokot, për sa kohë që janë shpallur procedurat për hartim të projekteve për stadiumet e reja të Suharekës dhe Rahovecit.
Pjesë e planit pesë vjeçar, sipas tij, është edhe renovimi i stadiumeve në Vushtrri, Kamenicë, Mitrovicë (Riza Lushta), Podujevë dhe Drenas.