Mehmeti: Janë mbi 700 mijë euro borxhe ndaj KPM-së

Kryetari i bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Jeton Mehmeti, ka thënë se janë 720 mijë euro borxhe të akumuluara nga institucionet që kanë marrëdhënie kontraktuale me KPM-në, si dhe nga të licencuarit.

Këtë ai e bëri të ditur gjatë mbledhjes së bordit të KPM-së që po mbahet sot më 19.03.2024.

Sipas tij, këto borxhe janë dërguar tek përmbaruesi.

“Të gjitha këto borxhe i kemi dërgu te përmbaruesi por që nuk janë marrë të gjitha masat nga përmbaruësi për borxhin institucional” – tha Mehmeti.

Ai ka bërë të ditur se borxh ndaj KPM-së kanë institucionet publike si RTK apo Telekomi i Kosovës.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KPM-së, Faruk Rexha tha se shpreson që Kuvendi i Kosovës t’i japë mjete RTK-së, që t’i shlyejë këto borxhe.

Në mbledhjen që po mbahet sot më 19.03.2024 u vendos që të krijohen nënkomisione për inkasimin e borxheve; ndryshimin e pronësisë së mediave dhe të drejtave të autorit.

Ndërsa anëtari i bordit, Besnik Berisha, tha se KPM duhet të trajtojë sa më shpejtë gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), në lidhje me licencimin e operatorëve të shpërndarjes.

Më 13.03.2024 Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka thënë se Komisioni i Pavarur për Media (KPM) ka licencuar pa kritere operatorët e shpërndarjes dhe ofruesit e shërbimeve audio dhe audiovizuele.

Spanca tha se KPM nuk kishte marrë parasysh të gjitha kriteret sipas rregullores.

“Operatorët e shpërndarjes dhe ofruesit e shërbimeve audio dhe audiovizuele janë licencuar pa plotësuar kriteret, KPM nuk ka marrë parasysh të gjitha kriteret sipas rregullores”- kishte thënë Spanca.

ZKA: KPM licencoi operatorët e shpërndarjes dhe ofruesit e shërbimeve audio dhe audiovizuele pa i plotësuar kriteret