Muja: Në këtë sesion kemi miratuar rreth 50 ligje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, të fundit për këtë sesion, e ka quajtur si të suksesshëm.

Muja tha se në këtë sesion janë miratuar rreth 50 ligje.

“Në këtë sesion kemi miratuar rreth 50 ligje dhe jemi duke shkuar sipas ritmit që për çdo sesion po miratohen rreth 50 ligje. Në 10 vitet e kaluara Kuvendi në baza vjetore ka miratuar diku 25 ligje, pra ne po miratojmë dyfishin e ligjeve për sesion se sa legjislaturat e kaluara”- ka thënë Muja.

Muja ka akuzuar deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, që sipas tij kanë pasur sjellje të dhunshme në Kuvend, derisa hodhi akuza edhe ndaj deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu.

“Mjerisht, ky sesion është përshkruar edhe me incidente të dhunshme nga deputetët e PDK-së, në veçanti deputeten Ganimete Musliu e cila jo që nuk ka ndonjë kauzë politike por ka pasë sjellje të dhunshme gjatë gjithë sesionit duke provokuar incidente”- ka thënë Muja.

“Qasja jonë ka qenë që të miratojmë të gjitha ligjet e nevojshme për Kosovën në veçanti marrëveshjet ndërkombëtare të cilat ishin në agjendë edhe sot, mjerisht opozita e ka bë të ditur që nuk do t’i votojë ato që po presin nga prilli të miratohen”- shtoi ai.

Për seancën e sotme Muja tha se, kishte deputetë të shumicës edhe nga opozita, por jo mjaftueshëm për të bërë kuorumin.

“Seanca duhet të ketë kuorumin e nevojshëm për të filluar, ishin deputetët e shumicës edhe nga opozita, por mjerisht nuk ishin mjaftueshëm për të filluar. Ne kishim planifikuar të qëndrojmë, pasi kemi pas edhe ligje që do të duhej të kalonin në këtë sesion”- u shpreh ai.

Një pjesë e madhe e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje por edhe disa nga partitë opozitare, nuk morën pjesë në seancën e fundit të sesionit pranveror.

Mungesa e madhe e ligjvënësve pamundësoi kuorumin që të mbahej seanca që ishte planifikuar për sot, dhe për këtë arsye nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ka mbyllur punimet e mbledhjes së sotme.