Ministrja Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock FOTO: Albin Kurti, facebook

Ministrja gjermane: Serbia të bëjë thirrje për heqje dorë nga dhuna

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka reaguar lidhur me situatën në veri të Kosovës, duke thënë se Serbia duhet të bëjë thirrje për heqje dorë nga dhuna.

Baerbock ka thënë se në situatën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor, përgjegjësia matet me atë se çfarë palët bëjnë për uljen e tensioneve.

“Pas sulmit ndaj Policisë në Kosovë, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre për paqe. Në situatën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor, përgjegjësia matet me atë që bëni për të shtendosur situatën. Serbia në veçanti duhet të bëjë thirrje pa mëdyshje për heqje dorë nga dhuna”- ka shkruar ajo në platformën X.

 

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Të hënën Policia e Kosovës prezantoi pajisjet luftarake ushtarake të grupit terrorist.

Ambasadorë dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndërkombëtarë kanë dënuar sulmin terrorist të këtij grupi në veri të vendit.