Ministria e Financave miraton bartjen e të hyrave vetanake për komunat

Ministria e Financave ka miratuar bartjen e të hyrave vetanake të komunave në vlerë prej 60 milionë euro.

Ministri Hekuran Murati ka thënë se bartja në këtë formë bëhet për të hyrat vetanake që kanë qenë të alokuara.

“Në pajtim me Nenin 9.6 të Ligjit të Buxhetit, sot kam miratuar bartjen e të hyrave vetanake të komunave në vlerë prej 60 milionë eurove. Bartja në këtë formë bëhet për të hyrat vetanake që kanë qenë të alokuara, kurse për pjesën e pa-alokuar, bartja bëhet me vendime të kuvendeve komunale përkatëse”- ka njoftuar Murati më 11.04.2024 përmes rrjetit social “Facebook”.

Ky vendim është vlerësuar si i mirëseardhur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, i cili ishte kundër që të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara të bëheshin pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar.

Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës për KALLXO.com ka thënë se uron që mos të përseriten këso vonesa në të ardhmen.

“Edhe pse i vonuar ky vendim është i mirëseardhur për komunat e Republikës së Kosovës. Shpresojmë që viteve tjera nuk do kemi këso vonesash” – ka thënë Ibrahimi për KALLXO.com

08.06.2023, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin përmes të cilit parashihet zhbllokimi i të hyrave vetanake të komunave.

Kthimi i këtyre mjeteve ishte kërkesë disa mujore e kryetarëve të komunave por edhe partive opozitare që kishin kushtëzuar votimet në Kuvend pikërisht me zgjidhjen e këtij problemi.

Kundërshtimet e Komunave pasi qeveria planfinikon t`ua marr mjetet vetanake të pa-shpenzuara