Euro, foto: Pixabay

Miratohet Ligji që mundëson bartjen e të hyrave vetanake te komunat

Më 83 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin përmes të cilit parashihet zhbllokimi i të hyrave vetanake të komunave.

Bartja e këtyre mjeteve parashihet të bëhet përmes Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2023.

Ky Projektligj është futur në rendin e ditës të seancës së sotme përmes një mocioni procedural dhe pas votimit në parim, me kërkesë të komisionit për të shmangur afatet procedurale, i njëjti është miratuar edhe në lexim të dytë.

Kthimi i këtyre mjeteve është kërkesë tash e disa muaj i kryetarëve të komunave por edhe partive opozitare që deri pak ditë më parë kushtëzuan votimet në Kuvend pikërisht me zgjidhjen e këtij problemi.

Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, më 25 maj i janë rikthyer votimit në Kuvendin e Kosovës pas dakordimit që kanë arritur me Qeverinë lidhur me çështjen e të hyrave vetanake të komunave.

Deri atëherë, partitë opozitare patën bllokuar disa procese votimi për shkak të këtij konflikti të hapur mes Qeverisë dhe komunave për çështjen e financimit vetanak të komunave.

Zhbllokimin e këtyre mjeteve e kanë kërkuar edhe kryetarët e komunave të Kosovës, të cilët muajin e kaluar patën zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti.

Kuvendi fut në rend të ditës ndryshimin e ligjit që mundëson bartjen e të hyrave vetanake te komunat