Ndahen 4 milionë euro për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në veri

Qeveria e Kosovës ka ndarë 4 milionë euro shtesë të cilat do të përdoren për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive në katër komunat veriore: Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Kështu bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e kabinetit qeveritar më 02.04.2024.

“Pas thirrjes publike të MAPL për ndërtimin e shtëpive të pjesëtarëve të komunitetit joshumicë që janë gjendje të rëndë sociale- në kushte të rënda banimi, MAPL ka bërë kërkesë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve shtesë në vlerë prej 4 milionë euro, të cilat përdoren për subvencionimin 100% të ndërtimit të shtëpive të qytetarëve tanë në katër komunat veriore”- tha Kurti.

Para kabinetit qeveritar, kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Kërkesa e MAPL-së ka të bejë me ndarjen e 4 milionë euro shtesë, kaq sa është vlerësuar nevoja për të mbuluar kërkesat që kanë qenë gjatë fazave të mëhershme të aplikimit për ndërtim apo rindërtim të shtëpive në katër komunat veriore të vendit. Këto mjete merren nga kontigjencat e Ministrisë së Financave dhe i ndahen MAPL-së”- shpjegoi Murati.