Votimet në veri, deri në ora 15:00 kanë votuar vetëm 203 qytetarë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri në ora 15:00 në katër komunat veriore të vendit ku po mbahen votimet për largimin apo jo të kryetarëve të komunave, kanë votuar vetëm 203 qytetarë.

Sipas Elezit, në komunën e Zveçanit nuk ka pasur asnjë votues.

“Sipas të dhënave që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve (KKZ), në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 është si në vijim: në Leposaviq kanë votuar 122 votues; në Zubin Potok 17; në Zveçan nuk kemi ndonjë votues dhe në Mitrovicë të Veriut 64 votues” – ka thënë Elezi në një konferencë për media.

Në emër të KQZ-së, Elezi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të këtyre komunave, që të dalin të votojnë.

“Në emër të KQZ-së i ftoj të gjithë qytetarët e komunave Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut që të shfrytëzojnë të drejtën për të marrë pjesë në procesin e votimi dhe të deklarohen nëse janë pro apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre në këto komuna” – tha Elezi.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, apo ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.

Numri i Qendrave të Votimit në komunën e Leposaviqit është 8, në Zubin Potok 5, në Zveçan 5 dhe në Mitrovicën e Veriut 5.

Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.