Me sloganin ‘mos hesht’ hapet fushata kundër trafikimit me qenie njerëzore

Ministria e Punëve të Brendshme ka lansuar fushatën kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Ditën e Bashkimit Evropian për Antitrafikim nën sloganin “Mos Hesht”.

Blerim Gashani, zëvendësministër i MPB-së dhe Koordinator Nacional kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore ka thënë se çdo vit rreth 25 milionë njerëz janë viktima të trafikimit me njerëz në mbarë botën.

Sipas tij, Kosova e ka etablaur kornizën ligjore në përputhje me Aquin e BE-së lidhur me këtë fenomen.

“Çdo vit rreth 25 milionë njerëz janë viktima të trafikimit. Trafikimi është krim i rëndë, kryesit e këtyre veprave vlerësohet të kenë profit rreth 250 miliardë dollarë. Numri i fëmijëve në mesin e viktimave është i lartë 59% nga totali i viktimave sipas raportit të Gretas që mbulon vitet 2016-2020. Veprimet tona dhe puna do të vazhdojnë të jenë të përditshme për parandalimit. Kosova e ka të etabluar kornizën ligjore, legjislacioni është në përputhje me Aqui të BE-së” – tha Gashani.

Zëvendësministri Gashani foli edhe për shtimin e përpjekjeve dhe hetimet për fëmijët që kërkojnë lëmoshë.

“Kur flasim për trafikim po flasim për jetë njerëzish që nuk janë statistika, sidomos statistika që nuk duhet të harrohen. Do të vazhdojmë t’i forcojmë dhe intensifikojmë hetimet, ndjekjet penale dhe dënimet meritore, t’i intensifikojmë përpjekjet për fëmijët që kërkojnë lëmoshë, ta forcojmë rehabilitimin për viktima” – shtoi Gashani.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani kërkoi mobilizim të përbashkët për luftimin e këtij fenomeni.

“Në kohën kur fenomene të tilla janë bërë globale edhe mobilizimi ynë duhet të jetë i përbashkët. Fakti se ne sot po lansojmë fushatën dëshmon për gatishmërinë e vendit për t’u përballur me këtë dukuri të rrezikshme. Trafikimi përbënë jo vetëm një shkelje të rëndë por edhe sfidë shqetësuese për vendet tona” tha presidentja Osmani.

Sipas saj, situata në Ukrainë e ka rritur terrenin për trafikim me qenie njerëzore.

Presidentja theksoi se Kosova po jep shembullin e vyer të bashkëpunimit mes policisë në inspektoratit të punës në mënyrë që viktimat të identifikohen”

Vjosa Osmani tha se statistikat në Kosovë janë ende të mangëta dhe se anëtarësimi i në Këshillin e Evropës dhe Interpol do fuqizonte luftimin e këtij fenomeni.

Derisa kryeministri Albin Kurti bëri thirrje për më shumë bashkërendim në luftimin dhe parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

“Sot bashkë bëjmë thirrje për më shumë punë e bashkërendim me qëllim të luftimit, parandalimit e në veçanti mbrojtjes së viktimave. Përkundër progresit të arritur mbetet shumë për t’u bërë. Në Kosovë kemi 15 viktime, 14 vajza, 11 nën moshën 18 vjeçare. Pas këtyre numrave kemi emra e mbiemra, kryesisht të rinjë ” – tha në mes tjerash kryeministri Kurti.

Ai ftoi institucionet e drejtësisë që ndaj kryesve të këtyre veprave dënimet të jenë të pakompromis.