
Mbyllja e objektit për Punë Sociale në Mitrovicë të Veriut/ Foto: Florinda Kelmendi, KALLXO.com
Mbyllja e Qendrave për Punë Sociale në veri, Haxhiu: Veprimet e institucioneve të sigurisë s'janë kundër partnerëve tanë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka komentuar mbylljen e Qendrave për Punë Sociale, në veri të vendit.
Në një Konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, më 26.02.2025, ajo ka thënë se ato janë mbyllur për shkak të dyshimeve se kanë ndikuar në Zgjedhjet e 9 shkurtit.
Haxhiu ka mohuar se veprimet e institucioneve të sigurisë janë kundër partnerëve ndërkombëtarë.
“Veprimet e institucioneve të sigurisë nuk janë kundër partnerëve tanë, apo kundër qytetarëve në Republikën e Kosovës. Përkundrazi, këto Qendra janë mbyllur nga Policia e Republikës së Kosovës, sepse dyshohet që nëpërmjet tyre është ndërhyrë apo është bërë presion për Zgjedhjet e 9 shkurtit.” – ka deklaruar ajo.
Tutje, ajo ka shtuar se përmes tyre u kushtëzua vota e qytetarëve serbë.
Haxhiu ka thënë se edhe Misioni monitorues i BE-së ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në Zgjedhjet e Kosovës.
“Këto Qendra dyshohet se kanë qenë instrumenti i ndërhyrjes, prandaj edhe ka pasur reagim ligjor dhe të duhur institucional. Kemi përgjegjësi ndaj Ligjit, Kushtetutës dhe qytetarëve që të sigurojmë integritetin zgjedhor dhe që gara zgjedhore është fer.” – ka theksuar Haxhiu.
UNMIK-u ka kundërshtuar mbylljen e Qendrave për Punë Sociale në veri të Kosovës, të cilat financoheshin nga Serbia.
Sipas UNMIK-ut, ky veprim i institucioneve të Kosovës do të ndikojë negativisht në përditshmërinë e njerëzve.
Ndërsa, ka bërë thirrje që kjo dhe çështje të tjera të pazgjidhura të diskutohen në mënyrë konstruktive, në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Edhe Ambasada amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar për mbylljen e papritur dhe të pakoordinuar të Qendrave për Punë Sociale, të drejtuara nga Serbia në pjesën veriore të Kosovës.
“Këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht te mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë krijimin e pasojave të dëmshme për të ardhmen e Kosovës në Evropë e për marrëdhëniet tona bilaterale.” – është thënë në një reagim të Ambasadës në X.
Ndërkohë, edhe Bashkimi Europian tha se statusi i objekteve të Serbisë në veri të Kosovës, që ofrojnë shërbime sociale, duhet të zgjidhet në Dialogun që e lehtëson blloku – duke i bërë thirrje Prishtinës që të mos i mbyll këto struktura.
Katër objekte të Qendrave për Punë Sociale janë mbyllur në veri të Kosovës, më 21.02.2025.
Siç ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, zyrtarë të Qendrës në Zubin Potok, e cila kishte funksionuar si strukturë paralele/ilegale, dyshohet se kanë thirrur qytetarë të ndryshëm në telefon dhe nën kërcënime i kanë detyruar apo udhëzuar se si të votojnë – duke ua kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre, në favor të një partie të caktuar politike, e cila ishte në garë për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
“Më 8 shkurt 2025, një ditë para Zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ne kishim arrestuar 4 persona (zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Zubin Potok), në lidhje me veprën ‘cenim i përcaktuesve të votuesve’.” – tha Elshani.
Policia bën të ditur se e kanë njoftuar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, nga e cila kanë kërkuar që t’u lejohet kontrolli i këtyre Qendrave, me qëllim të zbulimit të provave me të cilat do të vërtetohet saktë mënyra e veprimit të këtij aktiviteti të kundërligjshëm.
UNMIK reagon pas mbylljes së qendrave për punë sociale të Serbisë në veri të Kosovës
BE fton Kosovën që të mos i mbyllë qendrat serbe që ofrojnë shërbime sociale
Misioni vëzhgues i BE-së: Pushteti përdori gjuhë negative, Grenelli ndërhyri në mënyrë jodiplomatike