U.d. Presidentja Albulena Haxhiu takohet me Kryeministrin e Çekisë, Andrej Babiš. Foto: Presidenca e Kosovës.

Haxhiu takohet me kryeministrin çek, i kërkon mbështetje për Kosovën

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në margjinat e Samitit BE- Ballkani Perëndimor në Tivat, u takua me kryeministrin e Çekisë, Andrej Babiš ku kërkoi mbështetjen e saj edhe për hapat e ardhshëm të Kosovës, përfshirë dërgimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian dhe ecjen drejt statusit të vendit kandidat.

Presidenca ka bërë të ditur se gjatë takimit, Haxhiu e falënderoi Çekinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në shtetndërtim, në proceset euroatlantike dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

“Ajo vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, duke theksuar se avancimi i përfaqësimit diplomatik me ambasadorë të plotë pasqyron nivelin e bashkëpunimit dhe besimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve”- njofton Presidenca më 05.06.2026.

Po ashtu, gjatë takimit Presidenca bën të ditur se u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës dhe për rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit. 

Haxhiu, siç thuhet në njoftim, theksoi se Kosova e sheh Çekinë si partnere të rëndësishme edhe në fushën ekonomike, me mundësi të reja bashkëpunimi në energji, teknologji të gjelbra, inovacion, digjitalizim, shëndetësi, infrastrukturë dhe industri të avancuar.

“Ajo po ashtu shprehu mirënjohjen e Kosovës për kontributin e Çekisë në KFOR dhe për angazhimin e saj të vazhdueshëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon”- shkruan tutje.

Pas përfundimit të takimeve të Samitit që po mbahet në Tivat, në orën 16:00 do të mbahen deklaratat përfundimtare për media dhe konferencat kombëtare për shtyp.

Në fund të samitit, rreth orës 15:30, është paraparë një konferencë e përbashkët për media e presidentit të Këshilli Evropian, António Costa, presidentit të Mali i Zi, Jakov Milatović, dhe presidentes së Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen

Ky samit mbahet gjashtë muaj pas takimit të fundit të zhvilluar në Bruksel dhe synon të riafirmojë partneritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Tema e samitit është ‘Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor’.

Sipas njoftimit, gjatë drekës, udhëheqësit do të diskutojnë zgjerimin. Do të jetë një mundësi që BE të përsërisë angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Udhëheqësit pritet të vlerësojnë progresin e bërë në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE dhe si ta çojnë atë më tej, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ata gjithashtu do të shqyrtojnë se si të adresohen sfidat e përbashkëta dhe të forcohet siguria dhe qëndrueshmëria, në sfondin gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.