Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Masat ndëshkuese të BE-së, Rashiq thotë se ka qenë ‘viktima’ e parë

Nenad Rashiq, ministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, ka thënë se ka qenë ‘viktima’ e parë e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Në një bisedë të publikuar në Twitter, nga Gerald Knaus, themelues i Iniciativës Evropiane të Stabilitetit (ESI), Rashiq rrëfen se si iu anulua vizita në Bruksel.

Rashiq ka thënë se anulimi i vizitës u bë në mënyrë bizare, pas pagesës së biletave e hotelit.

“Emri im është Nenad Rashiq, jam ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Unë jam viktima e parë e sanksioneve të BE-së”– ka thënë Rashiq në video.

E në anën tjetër, Knaus e ka konsideruar absurditet ndalimin e vizitës.

“Absurditet. Sanksionet e BE-së kundër Kosovës. Viktima e parë: Ministri serb Nenad Rashiq, i cili pati takime në Bruksel më 19 qershor për të diskutuar mbështetjen për pakicën serbe me zyrtarët e BE-së. Më pas u anuluan takimet nga BE!?’- ka shkruar Knaus në Twitter.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese për siç ka thënë ‘sjelljen joevropiane’ të Kosovës karshi situatës në veri.

Këto masa ndëshkuese përfshijnë edhe ndalimin e vizitave.

Kosova dhe BE kanë arritur pajtueshmëri për situatën në veri, Kosova ka zvogëluar praninë policore në dhe rreth objekteve komunale në komunat veriore, mirëpo BE nuk ka hequr ende masat.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kundërshtuan këtë gjë dhe organizuan protesta, të cilat kulmuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Cilat janë ‘masat kufizuese’ që Bashkimi Evropian i vendosi ndaj Kosovës