Peter Magyar, kryeministri i ri i Hungarisë. Burimi: Facebooku i tij

Magyar sinjalizon distancim të Hungarisë nga Kremlini

Kryeministri hungarez, Peter Magyar, ka deklaruar se qeveria e tij e re e ka thirrur ambasadorin rus lidhur me një sulm masiv me dronë pranë kufirit të Hungarisë, në një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me marrëdhëniet miqësore të paraardhësit të tij me Moskën, ka raportuar të enjten (14.05.2026) britanikja “The Guardian”.

“Qeveria hungareze dënon fuqimisht sulmin rus në Transkarpati”, u ka deklaruar Magyar gazetarëve. Ai ka theksuar se ministri i Jashtëm hungarez do të flasë me ambasadorin rus të enjten.

Nën qeverinë në largim të Viktor Orbanit, e cila e mbaroi mandatin në fillimmaj pas humbjes së zgjedhjeve në fundprill, Hungaria kishte bllokuar ndihmën për Ukrainën dhe u përpoq të ngadalësonte përpjekjet e saj anëtarësim në BE.

Magyar ka thënë se ministri i tij i Jashtëm do të pyesë “kur Rusia dhe Vladimir Putin planifikojnë ta përfundojnë më në fund këtë luftë të përgjakshme”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar menjëherë në X: “Faleminderit për dhembshurinë dhe qëndrimin tuaj të fortë!”

Ndërkohë Rusia ka nisur të paktën 800 dronë në një breshëri masive gjatë ditës së djeshme në rreth 20 rajone të Ukrainës. Sulmet u kryen në kohën kur Kievi dhe Moska shkëmbyen sulme me rreze të gjatë veprimi pas një armëpushimi të shkurtër.

Monitoruesit ukrainas kanë bërë të ditur se kanë zbuluar të paktën tetë breshëri dronësh rusë, përfshirë disa që hynin nga Bjellorusia, me objektivin e dukshëm që ishte infrastruktura kritike e Kievit. Ushtria polake ka njoftuar ndërkohë se Polonia ngriti në ajër avionët luftarakë si masë parandaluese për shkak të sulmeve ajrore ruse në Ukrainë.

Moska ka nisur një tjetër bombardim të rëndë herët të enjten, duke lëshuar 675 dronë dhe 56 raketa drejt Ukrainës, ka njoftuar forca ajrore e Kievit. Ushtria ukrainase ka njoftuar se mbrojtja ajrore kishte rrëzuar 652 dronë rusë dhe 41 raketa, dhe se 38 goditje ishin regjistruar në 24 lokacione. Dëme nga mbeturinat u raportuan në 18 vende të tjera.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com