LVV: ZKA vërtetoi shkelje ligjore të Komunës së Prishtinës

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë përmes një konference për medias ka folur për shkeljet siç thanë ata, që janë evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditorit për Komunën e Prishtinës lidhur me pasqyrat financiare për vitin 2022.

Sipas tyre, disa nga këto gjetje do i dorëzojnë tek organet e drejtësisë.

Violeta Salihu nga LVV-ja tha se raporit i kualifikuar nga ZKA do të thotë se janë gjetur shkelje.

“ZKA ka gjetur se planifikimi buxhetor është bërë gabim ku mbi 2 milionë euro nga investimet kapitale janë dhënë për shpenzime të mallrave dhe shërbimeve. Ky është keqmenaxhim” – tha Salihu.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me këtë çështje thuhet se “Si rezultat i planifikimeve buxhetore në kategoritë jo përkatëse, nga buxheti për investime kapitale janë paguar 2,453,137 euro shpenzime që për nga natyra nuk i takojnë investimeve kapitale, e që kryesisht kanë të bëjnë me mirëmbajtjen dhe gjelbërimin e hapësirave publike, sinjalizimet rrugore, pastrimi i lumenjëve etj”.

“Komuna ka pas mangësi në menaxhim të hyrave të tatimit në pronë, po ashtu” – vazhdoi tutje.

Sipas ZKA-së “për 7,958 tatimpagues, është zbatuar zbritja prej 15,000 euro nga vlera e vlerësuar e njësisë së objektit, duke u mbështetur në nenin 11-“Zbritjet për vendabanim parësor”, mirëpo kjo zbritje është bërë për pronat e personave për të cilët nuk ishte evidentuar numri personal, ku për pasojë rezulton më pak të hyra nga tatimi në pronë për rreth 179,055 euro. Përveç kësaj, zbritja primare ishte zbatuar ndaj 602 tatimpaguesve, të cilët kanë në posedim prona rezidenciale më shumë se një pronë, zbritje e cila rezulton më pakë të hyra nga tatimi në pronë për rreth 13,545 euro”- thuhet në raport.

Salihu po ashtu potencoi edhe gjetjet për subvencionim të Organizatave Joqeveritare në kundërshtim me ligjin.

“Subvencion i OJQ-ve pa thirrje publike, kemi një OJQ që ka fituar më shumë se një herë brenda një viti që është shkelje ligjore. Komuna ka dështuar të adresojë  rekomandimet nga vitet paraprake”- tha Salihu.

ZKA lidhur me këtë gjetje ka potencuar se bazuar në testet e kryera rezulton se katër OJQ fituese të subvencioneve (për sport, kulturë dhe organizatë komunale e pensionistëve), janë përzgjedhur në bazë të Vendimeve të Kuvendit Komunal, pa shpallje paraprake të thirrjes publike. Shuma e përfituar e këtyre katër përfituesve të subvencioneve ishte 143,000 euro. Për më tepër, për një OJQ përfituese ishin ndarë tri herë subvencione brenda vitit, ndërsa për dy OJQ tjera ishin dhënë subvencione dy herë brenda vitit. Përveç kësaj, përfituese ishte edhe për “Kuzhinën qendrore” në vlerë 30,000 euro, mirëpo përfituesi nuk kishte hartuar raporte kthyese financiare dhe narrative në lidhje me shfrytëzimin e këtyre fondeve.

Sipas nenit 2.1 të Rregullores MF-nr. 04/2017-Mbi kriteret, standardet e financimit publik të Organizatave Jo Qeveritare (OJQ) parashihet që, financimi i projekteve dhe programeve të OJQ-ve bëhet sipas një thirrje publike, dhe të cilat i plotësojnë kriteret e Rregullores. Ndërsa në nenin 6 pika 6.2 e Rregullores së Komunës përcaktohet, se përfituesit fizik apo juridik mund të përfitojnë subvencione vetëm një herë brenda vitit.

Ermal Osmani, asamblist i LVV në Komunën e Prishtinës tha se ZKA i vërtetoi shkeljet ligjore të komunës.

Ai shtoi se disa prej tyre do i dërgojmë tek organet e drejtësisë.

“Këshillat tona nuk janë marr parasysh duke na u përgjigjur me arrogancë. Këto shkelje të ligjit po i vërteton ZKA.  Komuna nuk ka respektuar afate ligjore në lëshim të lejeve të ndërtimit. Pagesat nga kategori tjera,  pagesa për punë dhe shërbime me afat të skaduar. Lidhja e kontratave me procedura joadekuatëe të prokurimit, si ajo për sigurim të objekteve të komunës” – tha ai.

Komuna nuk kishte respektuar afatet ligjore për lëshimin e lejeve të ndërtimit. Sipas ZKA-së janë identifikuar vonesa në shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi për 175 raste, prej një muaj deri 26 muaj. Për më tepër, vonesa kishte edhe në lëshimin e lejeve mjedisore deri në 13 muaj.

Ligji i Ndërtimit përcakton që “Leja ndërtimore lëshohet nga organi kompetent brenda 30 ditëve pas pranimit të kërkesës për leje ndërtimore për kategorinë I dhe 45 ditë për kategoritë II dhe III”. Po ashtu, sipas nenit 11 të UA nr. 01-2017-për dhënien e lejeve mjedisore komunale: “Vendimi për miratim ose refuzim të LMK-se i nënshkruar nga Drejtori i Drejtorisë përkatëse, lëshohet në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të kërkesës”.

Sipas zyrtarëve kjo vonesë ka ndodhur si pasojë e numrit të lartë të kërkesave dhe mungesës së kapaciteteve njerëzore brenda drejtorisë së planifikimit strategjik (e sidomos sektori për lëshimi e lejeve mjedisore komunale) dhe drejtorisë së urbanizmit për shqyrtimin e kërkesave me kohë.

Ermal Osmani i ka bëjrë thirrje kryetarit Rama për reflektim, dhe theksoi se disa nga këto gjetje do i adresojnë tek organet e drejtësisë.