LVV kërkon hetim ndaj Përparim Ramës për 'keqpërdorim të detyrës'

Mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës nisi me revoltën e asamblistëve opozitarë drejtuar kryetarit Përparim Rama lidhur me mospublikimin e vendimeve për shkarkimin/emërimin e aksionarëve të ndërmarrjeve publike lokale.

Më 8 qershor, opozita kishte shkarkuar aksionarët e ndërmarrjes publike lokale dhe kishte votuar pastaj emra të ri të cilët vijnë po ashtu nga opozita.

Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla propozoi që mos të vazhdohen më seanca deri kur të publikohen vendimet.

Sipas tij, mos publikimi i tyre është në kundërshtim me ligjin. Sipas tij, ministria e linjës ka vlerësuar se vendimet janë në përputhje me normat ligjore.

Sveçla ka kërkuar nga Prokuroria që të fillojë hetimet ndaj kryetarit Rama nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Propozojë që kjo seancë të mbyllet dhe mos të mbahen seanca të tjera deri në publikimin e vendimeve të seancës së jashtëzakonshme të datës 8 qershor 2023. Këtu kemi të bëjmë me një rast të paprecedent ku kabineti i kryetari duke tejkaluar të gjitha kompetencat i bllokon vendimet e kuvendit komunal nuk lejon që të bëhen ato publike. Bëjmë denoncim publik, kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit që të fillojë hetimet ndaj Përparim Ramës mbi bazën e dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Kërkojmë edhe nga MAPL që të fillojë procedurat për suspendimin e përkohshëm të Përparim Ramës dhe dërgimin e dosjes në Kushtetuese”

“Më ky Kuvend nuk do të funksionojë siç ka funksionuar më parë sepse do të ketë bllokadë. Nuk e di pse ka asamblistë kur kryetari mundet t’i bllokojë vendimet e Kuvendit” – tha asamblisti Sveçla.

Duke tentuar t’i përgjigjet opozitarëve, kryetari Rama ngjitet në foltore por pengohet nga ta duke krijuar zhurmë në sallë.

Në mes zhurmës, Rama thotë se u kishte kërkuar që t’i sjellin njerëz profesionist pavarësisht partisë dhe ka qenë i hapur për koalicion.

“Unë si kryetar i kryeqytetit kam qenë këtu dhe do të jem këtu për të mirën e kryeqytetit. Iu kam thanë boneni shumicën. Më vjen keq për anëtarët e tjerë të LVV-së që bien pre e Gëzim Sveçles. Unë prej fillimit kam qenë i hapur për koalicion të gjerë më gjithkë. Kam thënë gjithmonë, profesionistë janë dhe munden me qenë pjesë e kabinetit Rama, pavarësisht të cilës parti janë. Edhe AAK-së i kam thanë bjeri njerëz profesional, unë i marrë, po jo pazargji” – ka thënë Rama.

“Për arsyeje se nuk ka kushte për të vazhduar e mbyllim” – thotë kryesuesi Fehmi Kupina.

Pastaj, kryetari Rama i drejtohet duke thënë se “ka kushte, jemi shumicë këtu”.

Pas kësaj, kryesuesi Fehmi Kupina bashkë me opozitën lëshojnë sallën.

“Na po vazhdojmë se e kemi shumicën” – thotë Rama.

Kryesuesi Fehmi Kupina kishte dhënë dorëheqje më 8 qershor 2023 nga pozita brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Si pasojë e kësaj, grupi i asamblistëve të LDK-së, sot, 27 qershor, propozoi që të futet në rend të ditës, shkarkimi i kryesuesit të asambles.