Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Latifi: S’mund të jap premtim sot se kur do t’i bëj fshatrat me ujë të pijshëm

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se nuk mund të japë premtim se kur do t’i bëjë me ujë të pijshëm fshatrat e komunës së Rahovecit.

Latifi ka thënë se varet nga KRU “Gjakova” se kur do të fillojë projekti për këtë pasi ata kanë përqindjen më të madhe të aksioneve.

“Ne kemi problem me ujë të pijshëm në Senoc, ka një projekt me KRU “Gjakovën” dhe shpresojmë. Ne kemi pjesëmarrje aty 49 për qind me financa e ata kanë 52 për qind. Ne kemi bërë një shpim dhe nuk kemi gjetur ujë. Nuk mund të premtoj sot se kur do të kenë ujë të gjitha lokalitetet. Do të punojmë me institucionet për një impiant për shkak se ka vlerë shumë të madhe”, ka thënë Latifi.

‘Të gjitha fshatrat do të kenë ndriçim publik deri nën fund të këtij viti. Jemi në fund të projektit”, ka premtuar më tej ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Rahovecit, po shpalosin projektet e tyre në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në emision kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Rahovec: Smajl Latifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Visar Korenica nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i AAK-së Smajl Latifi i ka marrë 47,18 për qind të votave, kurse Visar Korenica nga LVV, ka siguruar 24,84 për qind.