Shtyhet sërish votimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues

Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor nuk është hedhur në votim as në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 07.03.2024 për shkak të mungesës së kuorumit për të votuar një amendament të propozuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica.

“54 deputetë po marrin pjesë në votim. Konsideroj që nuk ka kushte që Kuvendi me miratu këtë amendament. Procedura sërish mbetet aty. Jemi te amendamenti 4 që jemi bllokuar”- ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Si rrjedhojë, projektligji është shtyrë për një seancë tjetër.

Amendamenti i 4-të i propozuar nga deputeti Visar Korenica parasheh ndryshimin e nenit si në vijim: Baraspesha në mes suksesit të trajtimit dhe mirëqenies së çiftit.

Më 22.02.2024, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se një deputet qëllimshëm nga mazhoranca nuk po voton për ta pamundësuar fare ligjin që të mos procedohet.

“Nuk kemi kuorum sërish sepse një deputet qëllimshëm nga mazhoranca nuk po voton për ta pamundësuar fare ligjin që të mos procedohet. E provojmë edhe herën e tretë dhe pastaj e lëmë këtu, në këtë…”- ka thënë ai.

Projektligji për shëndetin riprodhues, Konjufca: Një deputet nga mazhoranca qëllimshëm nuk po voton

Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor është miratuar në parim në tetor të vitit 2023.

Në mars të vitit 2023, ky Projektligj ka ngjallur debat mes deputetëve në Kuvend.

Disa deputetë të pushtetit patën dalë kundër e duke nxitur edhe reagime të organizatave joqeveritare.