Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Rahovecit shpreh ngushëllime për të vdekurit në aksidentin në Itali

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i ka shprehur ngushëllime familjes Hoti për vdekjen e djalit të tyre, Altin Hoti, i cili ka vdekur në aksidentin që ka ndodhur në Itali.

Latifi ka përmendur edhe faktin se gjashtë muaj më parë kishte vdekur në një aksident trafiku edhe vëllai i tij, 18 vjeçar.

“I tronditur nga vdekja tragjike në aksident komunikacioni në Itali e të riut 22-vjeçar, Altin Hamëz Hoti nga Ratkoci. Ngushëllimet më të sinqerta Hamzës dhe familjes Hoti!’’ – ka shkruar në profilin e tij në Facebook Latifi.

Ai po ashtu i ka shprehur ngushëllime edhe familjes Geci nga Shqipëria dhe Di Tillio nga Italia, pasi që në aksident kanë vdekur edhe dy persona prej këtyre familjeve, Egli Gjeci me origjinë nga Shqipëria dhe Giulia di Tillio e fejuara e këtij të fundit.

“Altini, Egli dhe Giulia pushofshin në paqe!” – është shprehur Latifi.

Si pasojë e rënies së makinës në një kanal gjatë një aksidenti trafiku në rajonin e Venecias natën e 7 dhjetorit, humbën jetën këta persona.

Sipas hetimeve, makina e llojit BMW kishte dalë nga rruga si shkak i shpejtësisë dhe përfundoi në lumin Lemene. Makina ishte nxjerrë nga lumi me trupat e viktimave brenda.

Prokurori i rastit ka kërkuar që vozitësit t’i bëhet autopsi për të kuptuar në çfarë gjendje psikologjike kishte qenë duke vozitur.