Ish-kryetari i Rahovecit, Qazim Qeska
Vdes ish-kryetari i Rahovecit, Qazim Qeska
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar se ka vdekur ish-kyretari të kësaj komune, Qazim Qeska.
Latifi për Qeskën shkroi se dha kontribut në procese politike, ekonomike e shoqërore në Rahovec.
“I tronditur dhe me pikëllim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të njeriut të mirë, qytetarit të angazhuar, shembullit të urtësisë e mirësisë, ish-Kryetarit të Komunës së Rahovecit e aktivistit politik, Qazim Qeska. Ishte ndër juristët më të mirë në komunën e Rahovecit dhe me përvojën e dijet juridike, ndikoi pozitivisht në konsolidimin e sistemit juridik. Si kryetar i Komunës së Rahovecit dha kontributin e tij në paqësimin ndërmjet grupeve politike, duke i kontribuuar konsolidimit të demokracisë vendore”- shkroi Latifi në Facebook më 24.02.2024.
Smajl Latifi shprehu ngushëllime për familjen e Qeskës duke shtuar se do të kujtohet për vlerat e larta njerëzore.
“Rahoveci humbi sot një qytetar respektplotë, kurse familja më të dashurin familjar, që rriti e edukoi fëmijë të respektuar në komunitet. Në këtë moment dhimbjeje e pikëllimi, në emër të qytetarëve të komunës së Rahovecit dhe në emër timin, familjes Qeska, farefisit, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij, u shpreh ngushëllime të thella dhe të sinqerta!”- shtoi më tej Latifi.
Qazim Qeska ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Rahovecit nga radhët e PDK-së në zgjedhjet për kryetar të komunave të vitit 2007. Ai ishte rizgjedhur kryetar i Rahovecit edhe në zgjedhjet për kryetar të vitit 2009. Më 01.07.2010, Qazim Qeska, dha dorëheqje nga pozita e të parit të Rahovecit. 45 ditë pas dorëheqjes ai kishte provuar të kthehej në postin e kryetarit të Rahovecit por në aktgjykimin e datës 10.10.2010, Gjykata e Kushtetuese e kishte vlerësuar anti-kushtetues këtë veprim duke detyruar institucionet të organizojnë zgjedhje të jashtëzakonshme në Rahovec. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Rahovecit që ishin mbajtur në Rahovec në vitin 2010 ishte zgjedhur Smajl Latifi i AAK-së. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën në vitin 2010, Qazim Qeska nuk kishte kandiduar për të parin e Rahovecit.