Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lajçak, mes besimit dhe kritikave në misionin e papërfunduar në dialogun Kosovë - Serbi

Rreth katër vjet pas emërimit, i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak është në prag të përfundimit të mandatit në misionin e tij për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. 

Teksa po udhëtonte në drejtim të Prishtinës për herë të parë pas marrjes së detyrës si Përfaqësues special i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, diplomati sllovak Miroslav Lajçak, bashkë me shumë pasagjerë për disa orë kishte mbetur i bllokuar në aeroportin e Cyrihut në Zvicër. Ishte qershori i vitit 2020 dhe kohë pandemie, por mbase ishte edhe një ogur i keq për të në misionin që i ishte besuar nga BE-ja, për t’i normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ngarkimi i tij me këtë mision në prill të atij viti edhe ashtu nuk qe pritur gjithaq me entuziazëm nga një pjesë e spektrit politik dhe institucional në Kosovë, megjithëse nga Brukseli jepeshin garanci se emisari i ri do të ishte neutral dhe nuk do të ndikohej nga qëndrimi i shtetit të origjinës- Sllovakisë, karshi çështjes së Kosovës.

Me gjithë organizimin dhe ndërmjetësimin e një serë takimeve të nivelit të lartë por edhe të takimeve në nivel kryenegociatorësh, tash kur po bëhen gati katër vjet që nga ngarkimi me misionin e përafrimit të qëndrimeve të palëve në procesin e dialogut që për synim vazhdon ta ketë normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se Lajçak, megjithatë nuk arriti të shënoj progres real në misionin që iu besua.

Diplomati holandez, Robert Bosch, në një prononcim për KALLXO.com thotë se shqetësimi në Kosovë për njëanshmëri të Lajçakut doli të jetë i vërtetë, pasi sipas tij, politikani sllovak ishte në anën e Serbisë në çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, po edhe për faktin se Kosova aktualisht është nën sanksione të BE-së, ndërsa Serbia- jo.

Bosch thotë se ishte befasuar qysh në fillim kur krahas Josep Borrell-it nga Spanja, një vend mosnjohës i Kosovës, u zgjodh edhe një i dërguar i posaçëm për Kosovën po ashtu nga një vend tjetër mosnjohës- Sllovakia.

“Lajçak doli në anën e Serbisë për pothuajse të gjitha çështjet, duke filluar nga qëndrimi se Kosova mund ta ndryshojë Kushtetutën për ta bërë të mundur krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. E gjithë kjo ka rezultuar me situatën që dosja e Kosovës është shndërruar në një konflikt të ngrirë me rrezik të vazhdueshëm të shkrirjes. Shih çka ndodhi në Banjskë”, thekson Bosch.

Megjithëse, siç thotë ai, edhe Prishtina ka bërë gabime, “është e çuditshme që BE i ka vënë sanksione Kosovës dhe jo edhe Serbisë, edhe pse kjo e fundit nuk respekton shumicën e marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja”. “Shih çfarë ndodhë me Marrëveshjen e Ohrit”- sugjeron ai.

Përgjithësisht, ish ambasadori i Holandës në Kosovë thotë se është bërë shumë pak gjatë kohës së Borrelit e Lajçakut në dialogun Kosovë- Serbi, ndonëse këta dy diplomatë, ai nuk i sheh si fajtorët e vetëm.

“Këshilli i BE-së dhe më pak Parlamenti Evropian mbajnë një pjesë të fajit duke e lavdëruar gjithmonë Lajçakun për punën e tij, duke më bërë të pyes veten nëse ata vërtetë e ndjekin procesin seriozisht. Duke marrë parasysh këtë sjellje të dobët, nuk ka progres real dhe shumë pak është bërë gjatë këtyre viteve nga Borrell dhe Lajçak”- shprehet Bosch.

Për bindjen e tij ka shumë ekspertë të tjerë nga shumica dërrmuese e vendeve njohëse që do të ishin shumë të kualifikuar si ndërmjetësues në procesin e dialogut.

Edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Dritëro Arifi, thotë se në këtë pikë dialogu ka nevojë për një figurë me të fuqishme.

“Në fazën ku gjendet dialogu, është pak e rëndësishme a do t’i vazhdohet mandati apo jo. Unë mendoj që nuk do t’i vazhdohet sepse  dialogu në një farë mënyre është përmbyllur. Tash mendoj që duhet një rifreskim, një i dërguar tjetër special që ka edhe fuqinë politike për t’i detyruar palët që ta zbatojnë marrëveshjen. Pra, jemi në një pikë ku kemi nevojë për një figurë më të fuqishme. Mendoj që ka ardhur koha për të ndryshuar shumë gjera dhe po besoj që shtetet e BE-së e din se kush duhet ta bëj”- shprehet Arifi për KALLXO.com.

Nëse shikohet nga perspektiva e Bashkimit Evropian, sipas tij, një sukses i Lajçakut në këtë mandat mund të konsiderohet arritja e Marrëveshjes franko – gjermane e dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë, më 27.02.2023.

Lajçak do të qëndrojë në krye të procesit të dialogut Kosovë- Serbi si përfaqësues i BE-së, deri më 31.08.2024. Nuk dihet ende nëse do t’i zgjatet mandati.

Më parë, ai ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për seancën e 72-të (2017-2018).

Në periudhën 2007-2009 ishte Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje-Hercegovinën, ndërsa vepronte edhe si Përfaqësues i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare atje. Si një i dërguar personal i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, negocioi, organizoi dhe mbikëqyri referendumin për pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006 në emër të Bashkimit Evropian.

Emisari jo i mirëpritur

Emërimi i Mirsolav Lajçak në prill të vitit 2020, ngjalli reagime të shumta në Kosovë. Gjithçka nisi pas një deklarate të ish presidentit Hashim Thaci i cili në atë kohë refuzoi të merrte pjesë në negociatat e udhëhequra nga përfaqësuesi special i ri i BE-së.

Thaçi pati deklaruar se “misioni i Lajçakut është i paracaktuar të dështojë”, për shkak të angazhimit të tij si ish-ministër i Jashtëm sllovak.

Megjithatë, disa muaj më pas Thaçi i zbuti qëndrimet dhe pas një takimi që zhvilloi në Prishtinë tha se Lajçaku e ka mbështetjen e tij në këtë proces.

Ndonëse jo prej fillimit, gjatë rrugëtimit të tij si kryeministër edhe Albin Kurti ka shprehur pakënaqësi për punën e Lajçakut në procesin e dialogut.

Në shtator të vitit 2023, Kurti në një konferencë për media e akuzoi Lajçakun se ishin koordinuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq për zbatimin gjysmak të Marrëveshjes së Ohrit. Qëndrimin e Lajçakut, Kurti e quajti edhe goditje ndaj Kosovës.

“Më 14 shtator pati një pozicionim të ndërmjetësit kundër Kosovës dhe kundër marrëveshjes në veçanti. Ata kanë shkuar shumë larg me goditje ndaj Kosovës. Ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike ose nuk do zbatojmë ato që do Serbia” – tha ai.

Me daklaratën e Kurtit u pajtua edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili nuk e fshehu se qysh nga fillimi ka parë një pozicionim të Lajçakut.

“Është vërejtur më thënë të drejtën qysh në fillim që Lajçak qëndrimet të cilat i artikulon më shumë janë, lë të themi, marrje e pozicionit të Serbisë”- tha Konjufca më 20.09.2023.

Lidhur me kritikat dhe dyshimet mbi Lajçakun, Bashkimi Evropian i qe përgjigjur Kurtit. Zëdhënësi Peter Stano, i pati quajtur thjeshtë të pabaza deklaratat e kryeministrit të Kosovës.

Stano në një konferencë për media tha se Lajçak dhe Borrell kanë besimin e vendeve anëtare të BE-së si ndërmjetësues të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Së fundmi edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka ngritur dyshime përsëri në paanshmërinë e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi.

Më 14.02.2024, Bislimi ka reaguar pasi emisari Lajçak ka takuar në Bruksel përfaqësuesit e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU), pak orë para raportimit në Komitetin për Politikë dhe Siguri për dialogun Kosovë- Serbi, por nuk e ka përmendur askund që janë nga shoqëria civile serbe.

Reagimi i Bislimit ka nxitur më pas reagimin e NCEU dhe disa mekanizmave ndërkombëtar.

Historiku i takimeve në mandatin e Lajçakut 

Diplomatit sllovak, Miroslav Lajçak iu besua ndërmjetësimi i dialogut Kosovë – Serbi në një vit të trazuar për Kosovën, mes sifdave të një pandemie globale dhe zhvillimeve politike që pasuan me rrëzimin e Qeverisë Kurti I.

Lajçak e nisi punën në krye të këtij procesi fillimisht duke u krijuar një terren për të bindur palët t’i ktheheshin dialogut i cili në atë kohë ishte bllokuar si pasojë e  vendimit të ish kryeministrit Ramush Haradinaj që vendosi një taksë 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina.

Pas dy vjetësh bllokadë palët u kthyen në tavolinën e bisedimeve në një takim të zhvilluar në korrik të vitit 2020 mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ndërsa në shtator të vitit 2020, Hoti dhe presidenti i Serbisë, u takuan serish  në Bruksel, ku biseduan për një varg çështjes. Hoti tha se është shënuar përparim në draftimin e marrëveshjes finale, ndërkaq Vuçiq tha se në këtë takim kanë hapur edhe temën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, për herë të parë, kryeministri i tanishëm i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u takuan më 15 qershor të viti 2021 në Bruksel në kuadër të dialogut, takim ky që përfundoi pa u marrë vesh për temat.

Takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit është mbajtur më 19 korrik 2021. Por, as ky takim nuk solli ndonjë marrëveshje.

Kurti në takim i ofroj Vuçiqit tri libra që flasin për gratë e përdhunuara gjatë luftës, listën e 1,113 fëmijëve të vrarë dhe “Dosjen Britanike”, për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

Një tjetër takim u mbajt më 4 maj 2022. Takimi ishte njohur në publik si “Darka e Berlinit”.

Darka, sipas BE-së, ishte joformale pavarësisht se në këtë takim mori pjesë edhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndërsa, më 18 gusht 2022 u mbajt takimi i tretë në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, me ndërmjetësim të BE-së.

Palët diskutuan Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes dhe çështjet aktuale të politikës e sigurisë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar se në këtë takim nuk është arritur ndonjë marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Më pas më 21 nëntor 2022 u zhvilluar takimi i katërt trepalësh në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të Bashkimit Europian.

Palët u takuan për të diskutuar rreth targave të automjeteve në Kosovë, çështje që kishte rritur tensionet mes dy vendeve.

Kurti, pas takimit trepalësh në Bruksel tha se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ai ka thënë se BE-ja atë ditë ka propozuar që Kosova të vazhdojë me qortime, ndërsa Serbia të mos lëshojë më targa me akronime të qyteteve të Kosovës.

Takimi i pestë trepalësh në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, u zhvillua më 27 shkurt 2023, në të cilin palët u dakorduan verbalisht për Planin franko-gjerman.

Pas këtij takimi Kurti ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruante planin e ofruar nga Bashkimi Evropian, por pala tjetër nuk ishte e gatshme.

Më 18 mars 2023 në Ohër u mbajt takimi i gjashtë Kurti- Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Këtu palët u dakorduan për zbatimin e planit të BE-së për normalizimin e raporteve mes tyre.

Takimi i radhës Kurti-Vuçiq u zhvillua më 2 maj 2023.

Në këtë takim palët miratuan Deklaratën për Personat e Zhdukur dhe diskutuan për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se është bërë hap i rëndësishëm simbolik për themelimin e Asociacionit dhe se fillimi i këtij drafti përbën një pjesë të rëndësishme të marrëveshjes.

Takimi i tetë dhe i fundit deri më tani në kuadër të dialogut, u mbajt më 14 shtator 2023.

Kurti deklaroi se në këtë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit dhe të aneksit të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, të 18 marsit.

Ai tha se takimi nuk ka pasur rezultat pasi pala serbe nuk ka pasur ndonjë propozim por ka paraqitur një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që sipas Kurtit është kushtëzim i Serbisë që njëherë të zbatohet Asociacioni e më pas zbatimi i marrëveshjeve tjera.

Kosova dhe Serbia janë në proces të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Që nga viti 2021, procesi i dialogut nga Kosova udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Palët, përgjatë kësaj periudhe kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.