Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Foto: ZKM

Besnik Bislimi dyshon në paanshmërinë e Lajçakut, kërkon shpjegime nga ai

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka ngritur dyshime përsëri në paanshmërinë e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.

Bislimi ka reaguar pasi emisari Lajçak ka takuar në Bruksel përfaqësuesit e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU), pak orë para raportimit në Komitetin për Politikë dhe Siguri për dialogun Kosovë- Serbi, por nuk e ka përmendur askund që janë nga shoqëria civile serbe.

“Takimi shumë i dobishëm me përfaqësuesit e NCEU në Bruksel sot. Gjithmonë ndihmon të dëgjosh zëra nga toka” – ka shkruar Lajçak në platformën “X”.

Këtij publikimi i ka reaguar Bislimi duke thënë që delegacioni i OJQ-vë që ka publikuar Lajçak foto me ta, përbëhet kryesisht nga OJQ-të serbe nga Kosova, të cilat në mënyrë aktive dhe hapur avokojnë kundër integrimit të qytetarëve serbë në jetën ekonomike dhe sociale të Kosovës.

“Lajçak duhet të na shpjegojë nëse në narrativën e tij, OJQ-të serbe nga Kosova janë pjesë e NCEU Serbia dhe nëse NCEU Serbia bien nën ombrellën e tij. Një tjetër demonstrim i fortë i qasjes “të drejtë” dhe “neutral” të zotit Lajçak ndaj palëve në procesin e normalizimit” – ka shkruar Bislimi.

Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian në Serbi (NCEU) është një rrjet bashkëpunues i shoqërisë civile i krijuar në vitin 2014 nga 17 organizata të shquara të shoqërisë civile (OSHC) si përgjigje ndaj nevojës për përfshirje aktive të shoqërisë civile në negociatat e anëtarësimit.

 

Qëllimet kryesore të rrjetit janë të trefishta: për të mbështetur procesin e negociatave të BE-së, për të monitoruar progresin e reformave dhe zbatimin e standardeve, për të ofruar informim në kohë dhe cilësor të qytetarëve.

Në fotografinë e publikuar nga Lajçak shihet Miodrag Miliceviq i cili është drejtor i OJQ-së së serbëve lokalë të Kosovë “Aktiv” e cila është e vendosur në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 19.09.2023 kishte thënë që Lajçak në takimin e 14 shtatorit ka qenë në një linjë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Në takimin e dytë atë trilateral me Vuçiqin, u ekspozova para një skenari të cilin zotëri Lajçak duket që e kishte dizajnuar kohë më parë” – tha Kurti në një konferencë për media.

Sipas tij, Vuçiq dhe Lajçak kanë reaguar me të njëjtin mendim shpërfilljeje të koordinuar ndaj propozimit të tij.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i kishte quajtur të pabaza deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se emisari i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak ishte në një linjë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në takimin e 14 shtatorit në Bruksel.

Më 14 shtator në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe emisari Miroslav Lajçak. Takimi ishte përmbyllur pa progres.

Stano në një konferencë për media kishte thënë se Lajçak dhe Borrell kanë besimin e vendeve anëtare të BE-së si ndërmjetësues të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Së pari në lidhje me deklaratat e Kurtit, ne nuk komentojmë komente, veçanërisht nëse ato përmbajnë akuza të pabaza”- tha Stano.