Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti 18.09.2023 Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

Kurti thotë se Lajçak e Vuçiq ishin koordinuar për zbatimin gjysmak të marrëveshjes

Kryeministri Albin Kurti tha sot se Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak kishte shkuar në takimin trepalësh të 14 shtatorit me një skenar të përgatitur kohë më parë.

“Në takimin e dytë atë trilateral me Vuçiqin, u ekspozova para një skenari të cilin zotëri Lajçak duket që e kishte dizajnuar kohë më parë” – tha Kurti në një konferencë për media.

Sipas tij, Vuçiq dhe Lajçak kanë reaguar me të njëjtin mendim shpërfilljeje të koordinuar ndaj propozimit të tij.

“Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dytë thanë se ky plan është jorealist dhe rrjedhimisht e vetmja rrugë përpara është zbatimi i pasekuencuar i pikës së negocimit të statutit të një asociacioni të komunave” – tha kryeministri Kurti.

Sipas tij, Lajçaku dhe Vuçiqi ishin koordinuar për të bërë një skenar alternativ ku vetëm gjysma e marrëveshjes zbatohet dhe gjysma e tjetër, për të cilën tha se përbën pjesën më civilizuese të marrëdhënieve të mira fqinjësore, demokratike dhe europiane të mos zbatohet asnjëherë.

Refuzimi i tij, sipas Kurtit është fillimisht logjik dhe tregues i përgjegjësisë së tij politike ndaj Republikës dhe tregues i respektit për vlerat e BE-së që tha se mishërohen në nenet 1 deri në 5 të marrëveshjes bazike.

“Të thuash që një marrëveshje zbatohet vetëm një gjysmë është sikur të thuash që marrëveshja duhet mbytur” – u shpreh Kurti.

Qëndrimin e Lajçakut, Kurti e quajti edhe goditje ndaj Kosovës.

“Më 14 shtator pati një pozicionim të ndërmjetësit kundër Kosovës dhe kundër marrëveshjes në veçanti. Ata kanë shkuar shumë larg me goditje ndaj Kosovës. Ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike ose nuk do zbatojmë ato që do Serbia” – tha ai.

Kreu i ekzekutivit tha se plani i tij ka qenë plan i sekuencimit i buruar në mënyrë eksplicite nga shkronjat e secilit nen të marrëveshjes bazike. Kjo është arsyeja që sipas tij, Vuçiq dhe Lajçak nuk i dhanë përgjigje pyetjes së tij se cila pikë e planit të tij nuk është parashikuar në marrëveshje.

Albin Kurti tha se ndonëse në takim Lajçak i tha se edhe Serbia kishte sjellë një propozim, mirëpo pavarësisht insistimit të tij atë nuk e mori gjatë takimit, por vetëm pas përfundimit të tij.

Për propozimin e Serbisë, Kurti tha se duket që ishte dokument i dorëzuar para marrëveshjes së Ohrit dhe para miratimit të marrëveshjes bazike dhe shtoi se Serbia nuk ishte propozim për zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes.

“Mossjelljen e një propozimi të tillë, ndërmjetësi Laçjak e kishte fshehur në përmasa të tilla që ta amnistonte qëndrimin refuzues ndaj marrëveshjes për të cilën Vuçiq fliste çdo javë pas datës 18 mars. E keni parasysh edhe konferencën e tij të datës 24 prill ku thoshte se marrëveshjen e pranon vetëm në koncept e jo edhe në përmbajtje” – tha tutje kryeministri Kurti.

Kurti po ashtu tha se fjalët e Vuçiqit dhe të Borellit në konferencat e mbajtura pas takimit ishin të njëjta.

“Vuçiq doli në një konferencë për media dhe paralajmëroi atë që ndodhi një orë më pas, tha se Kurti do të kritikohet për shkak të refuzimit të propozimeve të ndërmjetësit Lajçak. Paralajmërimet e Vuçiqit i dëgjova fjalë për fjalë në konferencë për media të përfaqësuesit të lartë Borell” – shtoi Kurti.

Në konferencën e mbajtur sot, Kurti u pyet nëse do të kërkojë zëvendësimin e Emisarit Lajçak.

“Emisari evropian natyrisht se nuk më jep llogari mua, por i jep Komisionit, Këshillit, Parlamentit Evropian. Ajo se çka kam thënë sot është e mjaftueshme për llogaridhënien e tij” – u përgjigj ai.

Kryeministri Kurti dhe Vuçiq, u takuan të enjten e kaluar në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Takimi, që kishte në agjendë zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat, tha Borrell.

Sipas tij, ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti “nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit”, tha Borrell.

Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”.