Albin Kurti në Ohër

Kurti: Draft-statuti për Asociacionin është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar para mediave pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Kurti tha se në takimin e sotëm kanë dëgjuar ekipin menaxhues që ka prezantuar një draft-statut teksa shtoi se nga ajo se çfarë ka lexuar, ai është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e ligjshmërinë.

“Në këtë takim të sotëm, pas marrëveshjes për të pagjeturit, ne e dëgjuam me durim dhe vëmendje ekipin menaxhues që prezantoi një draft-statut me gjithsej 67 nene dhe mëpastaj dhamë qëndrimin tonë se një draft-statut i tillë, çfarë dëgjuam e lexuam, është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën, ligjshmërinë, demokracinë, vlerat evropiane, të drejtat e njeriut, të pakicave sipas standardeve evropiane dhe përkundër kësaj do jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje andaj me këtë rast propozova një draft-vizion si kryeministër i Kosovës përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur në konsideratë edhe nenin 10”- ka deklaruar Kurti.

Më tej, kreu i ekzekutivit kosovar tha se ka propozuar një draft-vizion se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet, çfarë do të duhej të ishte korniza e cila rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë.

“Unë kam propozuar një draft vizion se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet, cfarë do të duhej të ishte korniza e cila rregullon çështjen e komuniteteve jo shumicë. Besoj që do të trajtohet me seriozitet nga ndërmjetësit sepse në atë mënyrë do të mund të ndërtojmë diçka të mirë, të drejtë, të dobishme për të gjithë jo vetëm për serbët sepse ata duhet të jetojnë në shtetin tonë të jenë anëtarë në shoqërinë tonë”- theksoi Kurti.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se sot është bërë hap i rëndësishëm simbolik për themelimin e Asociacionit.

Borrell ka thënë se fillimi i këtij drafti përbën një pjesë të rëndësishme të marrëveshjes.

Borrell tha se Kurti ka ndarë mendimet e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, teksa shtoi se këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta sa i përket Asociacionit.

“Kryeminsitri Kurti ndau me ne këndvështrimemt e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë dhe sic pritjes këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta mes vete sa i përket natyrës së këtij asociacioni, nuk është se kam pritur diçka tjetër isha i bindur që palët do të kenë këndvështrime të ndryshme sa i përket asociacionit”- u shpreh Borrell

Shefi i diplomacisë së BE-së, tha se palët janë pajtuar të fillojnë negociatat për Asociacionin në të ardhmen e afërt.

Në pjesën e parë të takimit palët  kanë miratuar Deklaratën për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit, teksti i të cilit ishte dakorduar në prill të këtij viti pas takimit trepalësh në Bruksel mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq.

Sipas kësaj Deklarate të publikuar nga Bashkimi Evropian thuhet se të dyja palët kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në Ohër, më 18 mars, kur edhe u dakorduar për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.