Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti: Asociacioni nuk mund të vendoset sikurse ‘qerrja para kuajve’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se në takimin e sotëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të Bashkimit Europian, ka propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit dhe të aneksit të zbatimit të Ohrit të 18 marsit.

“Në këtë takim të nivelit të lartë unë kam propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit dhe të aneksit të zbatimit të Ohrit të 18 marsit. Këtë propozim këtë sekuencë se si duhet të jenë hapat për të zbatuar marrëveshjen bazike për të cilën jemi dakorduar” – tha Kurti pas përfundimit të takimit para gazetarëve.

Kurti tha se takimi nuk ka pasur rezultat pasi pala serbe nuk ka pasur ndonjë propozim por ka paraqitur një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që sipas Kurtit është kushtëzim i Serbisë që njëherë të zbatohet Asociacioni e më pas zbatimi i marrëveshjeve tjera.

“Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse mu tha që ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje që ta sjellin. Vetëm pas përfundimit të takimit, mu dha një dyfaqësh në anglisht dhe në serbisht në çirilicë i cili paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj që dmth nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar i palës serbe, por që ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni e më pas eventualisht mund të kalojmë në zbatimin e marrëveshjes bazë” – deklaroi Kurti.

Kreu i ekzekutivit thekson se janë 39 marrëveshje dhe se nuk mundet që nga neni 10, që është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nga 39 marrëveshje, “të përzgjidhet vetëm një e tillë dhe të vendoset sikurse qerrja para kuajve”.

“Mua m’u deshtë të iu them se nuk jemi në prillin e vitin 2013, kur në dhomë ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj, Rober Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Nuk është marrëveshja e vitit 2013. E qartë, neni 10 i marrëveshjes bazike, thotq që duhet të zbatohet ë gjitha marrëvehsjat e mëherëshme të dialogut në Bruksel, që janë të obligueshme e valide. Janë 39 sosh gjithësej. Por nuk mudnet që nga neni 10, nga 39 marrëveshje, të përzgjidhet vetëm një e tillë dhe të vendoset sikurse qerrja para kuajve. Të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Pra, një kushtëzim të tillë, unë nuk e kam pranuar”- u shpreh Kurti para gazetarëve.

Më tej, kryeministri tha se emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë, që siç u shpreh Kurti, “ e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues “, duke shtuar se vetë nuk mund ta pranonte një gjë të tillë.

“Është për të ardhur keq që emisari evropian Lajcak e ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe një kushtëzim nga Serbia që e ka pranuar emisari Lajcak e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues dhe ndërmjetësuar, por unë nuk mund ta pranoja një gjë të tillë, duke cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam”-nënvizoi ai.

Kurti tha se tashmë kanë në dorë dokumentin që paraqet kushtëzimin e Serbisë dhe se nuk ka qenë në dijeni se ekziston si i tillë.

Ai tha se është për të ardhur keq që pikërisht “kur jam konstruktiv dhe bëjë propozime shkaktohet një lloj nervoze një dhomë dhe vështirësohet dialogu”.

“Edhe këtë dokumentin tjetër që është më i vjetër se 6 muaj, që paraqet dokumentin e kushtëzimit të Serbisë, që njëherë asociacionin, pastaj shohim, gjithashtu e kemi tani në dorë. E nuk kemi qenë në dijeni se ka një dokument të tillë. Nuk mund të quhet propozim, sepse kur ta lexoni përmbajtjen do ta kuptoni se është kushtëzim. Ndërkaq ne kemi bërë një propozim dhe është për të ardhur keq, se pikërisht kur jam konstruktiv dhe bëjë propozime shkaktohet një lloj nervoze një dhomë dhe vështirësohet dialogu”- shpjegoi Kurti.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takuan të enjten në Bruksel, për herë të parë pas më shumë se katër muajsh.