
Peter Stano
Zëdhënësi i BE-së i quan ‘të pabaza’ akuzat e Kurtit për Lajçakun
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka quajtur të pabaza deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se emisari i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak ishte në një linjë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në takimin e 14 shtatorit në Bruksel.
Stano në një konferencë për media ka thënë se Lajçak dhe Borrell kanë besimin e vendeve anëtare të BE-së si ndërmjetësues të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Së pari në lidhje me deklaratat e Z. Kurti, ne nuk komentojmë komente, veçanërisht nëse ato përmbajnë akuza të pabaza”- tha Stano.
“Mendoj që vendet anëtare të Bashkimit Evropian e kanë bërë vazhdimisht shumë të qartë se ata e përkrahin plotësisht emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak po ashtu edhe përfaqësuesin e lartë (Josep Borrell) si ndërmjetës të dialogut Prishtinë- Beograd. Ata gjithashtu i përkrahin të dy në përpjekjet e tyre për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që më në fund të vijnë në një pikë që t’i normalizojnë marrëdhënie”- theksoi ai.
Dje në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha që Lajçak në takimin e 14 shtatorit ka qenë në një linjë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Në takimin e dytë atë trilateral me Vuçiqin, u ekspozova para një skenari të cilin zotëri Lajçak duket që e kishte dizajnuar kohë më parë” – tha Kurti në një konferencë për media.
Sipas tij, Vuçiq dhe Lajçak kanë reaguar me të njëjtin mendim shpërfilljeje të koordinuar ndaj propozimit të tij.
Më 14 shtator në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe emisari Miroslav Lajçak.
Takimi u përmbyll pa progres.
Nga BE thanë se progres nuk pati për shkak të qëndrimeve të Kurtit.
Ndërsa Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve në takim.
Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”. Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit…”.
Kurti thotë se Lajçak e Vuçiq ishin koordinuar për zbatimin gjysmak të marrëveshjes