Albin Kurti në Ohër

Kurti: Serbia po i ikë nënshkrimit të marrëveshjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar para gazetarëve në lidhje me takimin trepalësh më presidentin serb, Aleksandar Vuç i ndërmjetësuar nga përfaqësuesit e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Kurti tha se shtu si më 27 shkurt, edhe sot në Ohër, Serbia i ka ikur nënshkrimit të aneksit për zbatimin e marrëveshjes.

Ai shtoi se ka pasur pajtim publik mes palëve, teksa e ka cilësuar dakordimin e arritur si njohje de facto.

“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë de facto, kjo është njohje de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, natyrisht që ka edhe shumë gjëra të tjera aty por, sot mund të themi që kemi edhe aneksin e zbatimit mirëpo ata i ikën nënshkrimit të marrëveshjes bazë, i ikën edhe nënshkrimit të aneksit të zbatimit”- tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit po ashtu ka thënë se shtetet do të merren edhe me çështjen e së kaluarës duke e cilësuar si urgjente në të çështjen e të pagjeturve.

Më tej, Kurti ka komentuar edhe çështjen e nenit 7 të planit franko- gjerman, që sipas shefit të diplomacisë së BE-së Josep Borrell “do të nisë së implementuari menjëherë”, nen i cili flet për “vetëmenaxhim të komunitetit serb”.

“Nuk është vetëqeverisje, është vetëmenaxhim. Natyrisht që jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim dhe angazhohem për të gjitha pakicat që edhe harrohen. Në këtë aspekt, ekziston një paragraf që flet për një nivel adekuat për vetmenaxhimin e komunitetit të pakicës serbë në Kosovë dhe padyshim që do të udhëhiqemi prej standardeve më të lartëa në mënyrë që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cënim dhe diskriminim”- ka thënë Kurti.

Kurti tha se nuk e mohon që paraardhësit e tij kanë nënshkruar marrëveshje në vitin 2013 dhe 2015.

“Aty thuhet që urgjentisht duhet të fillojmë bisedimet dhe angazhimin për nivelin adekuat të vetmenaxhimit të komunitetit serb, nuk e mohoj që parardhësit e mi kanë nënshkruar marrëveshje në vitin 2013 e 2015. Janë dy prej 39 marrëveshjeve gjithsej dhe neni 10 i marrëveshjes bazë thotë që të gjitha duhet të zbatohen”- u shpreh Kurti.

“Kushtetutshmëria, ligjshmëria e funksionimi i shtetit që të gjitha këto janë parime bazë të cilat unë i zbatoj me përpikmëri sepse nëpërmjet tyre ju shërbejë të gjithë qytetarëve”- shtoi ai.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell pak më parë tha se Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë, negocimin për të vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb.

Ai shtoi se palët janë pajtuar të miratojnë deklaratën për personat e pa gjetur siç është negociuar në dialog

Takimi trepalësh në mes të kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, shefit të diplomacisë evropian Josep Borrell si dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka filluar rreth orës 15:30 dhe ka zgjatur pwr mw shumw se gjashtw orw.

Përpara se të ulen së bashku në tavolinë, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime bilaterale me Borrell dhe Lajçak, e të njëjtën gjë e ka bërë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i Ohrit vie pas takimit të 27 shkurtit në të cilin palët ishin dakorduar për planin e BE-së por nuk kishin nënshkruar ndonjë marrëveshje.

Po atë natë u bë publike edhe përmbajtja 11 pikëshe e planit franko-gjerman i cili ishte përmendur në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian e ndërmjetëson këtë proces, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë palë në dialog, e mbështesin atë.