Foto: ZKM

Kurti: Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërti të kufirit me Kosovën.

Kurti deklaroi se Serbia po e kërcënon sigurinë e Republikës së Kosovës.

“Ajo (Serbia) vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën. Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë” – ka shkruar ai në Facrbook.

Kryeministri tutje ka theksuar se Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, “kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit “Bota Serbe”, të Vulinit e të Vuçiqit”.

Kurti ka thënë se të premtën e 10 nëntorit në Rashkë Millan Radoiçiq  ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova ku sipas Kurtit është kërkuar moblizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

“Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq.Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit – Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore”- thuhet në postimin e Kurtit.

Kryeministri Kurti tha se KFOR-I, EULEX-I dhe BE-ja duhet të dalin me raport piblik e zyrtar “ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit”.

“Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës”- theksoi Kurti.