Kurti publikon pamje nga vizita në katër komunat në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar pamje nga vizita që ka zhvilluar në katër komunat në veri të Kosovës më 03.04.2024.

Ai ka njoftuar se ka qenë sot në Leposaviq, në Banjskë të Zveçanit, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe në lagjen Kroi i Vitakut.

Kurti ka thënë se ka zhvilluar takime me kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi, anëtarë të kuvendit komunal të komunës që ai drejton, policë në krye të detyrës në Banjskë, zyrtarë të Agjencisë për Regjistrimin Civil në Zubin Potok, dhe kryetarin Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut.

Ndërsa ka theksuar edhe përurimin e lapidarit kushtuar policit të vrarë, Enver Zymeri.

“Sot nuk ishte ditë e zakontë. Në ditëlindjen e 45-të të Heroit të Kosovës, policit Enver Zymeri, përuruam lapidarin kushtuar atij, në vendin ku heroikisht ra në krye të detyrës më 26 korrik të vitit 2011. Përkrah meje ishte djali i tij, Sokoli, e përkrah lapidarit valon flamuri i Republikës”- ka thënë ai.

Gjatë kësaj vizitë Kurti ka vizituar edhe vendpunishtet e shtëpive që po ndërtohen në veri.

“Në lagjen Kroi i Vitakut, na mirëpritën pjesëtarë të familjes Avdyli, Istrefi e Behrami që dukeshin aq të ngazëllyer sa edhe shpreheshin të lumtur për shtëpitë e tyre të reja. Një ditë më parë ndamë edhe katër milionë euro shtesë për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq, dhe Zubin Potok për komunitetet joshumicë në komuna”- ka thënë ai.

Gjatë ditës, për këtë vizitë ka reaguar Lista Serbe (LS), e cila ka thënë se “Kurti ka dashur të provokojë reagimin e popullit serb e të paraqitet si viktimë, për të fituar disa pikë politike më shumë apo vota për zgjedhjet e ardhshme”.

“Parakalimi i Albin Kurtit me dhjetëra automjete dhe 100 forca speciale shqiptare të armatosur deri në dhëmbë në veri të Kosovës shqetësoi serbët në Kosovë të cilët e panë me neveri këtë shfaqje” – ka shkruar Lista Serbe.

Kurti në veri: E ardhmja e vendit është përgjegjësi e të gjithëve